Rama: S’kandidova 30% femra, se pata presion nga burrat në PS
Vetëm dy javë më parë, kryetari i Partisë Socialiste do të shfajësohej lidhur me faktin e mospërfshirjes sa duhej të kandidateve femra në listat e këshillave apo në listat për kryetarë të njësive vendore. Duke marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga OSBE-ja me temë “Rritja e rolit të gruas në qeverisje: Premtim i mbajtur?”, kreu socialist do të shprehej se e kishte pasur të pamundur që të përfshinte më shumë femra në lista, pasi kishte pasur presion nga drejtuesit meshkuj të partisë. “Jam i detyruar ta pranoj që unë mbeta në minorancë, jo vetëm në raport me PD-në, por edhe në raport me burrat e PS-së. Nga ana tjetër jam shumë krenar që sot PS-ja ka në vetvete një përmirësim jashtëzakonisht të ndjeshëm të raporteve gjinore, duke pasur parasysh se tanimë Kongresi ynë ka 30% gra që zgjidhen me listën e tyre të veçantë. Po kështu, Asambleja jonë Kombëtare zgjidhet me 2 lista. Gratë kanë listën e tyre të veçantë dhe këtë raport madje dhe të përmirësuar e kemi pasur dhe do ta kemi edhe në kryesinë e partisë përsëri. Ndërkohë që për sa i përket këshillave, kemi qenë të bindur që është plotësisht e mundshme që në qytet kuota barazohet. Në Tiranë, praktikisht kemi hyrë me 50% me 50%. Ashtu sikundër jemi të bindur që është domosdoshmëri që të bëjmë të gjithë një sforco të gjitha partitë politike, për kuotat në fshat”, - do të shprehej Rama në atë takim lidhur me përfaqësimin e grave në lista. Gjithashtu, Rama do të shtonte se në ligj duhet të theksohet pjesëmarrje 30% të grave, në linjën horizontale. Pra, në qoftë se Shqipëria ka 12 qarqe dhe ka 12 lista, atëherë 30% e vendeve të para do të duhej të ishin gra, 30% e vendeve të dyta do të duhet të ishin gra, 30% e vendeve të treta do të duhet të ishin gra.