Dekreti, Topi firmos emrin e Fullanit për Guvernator të Bankës
Kandidatura e Ardian Fullanit nuk do të sjellë ndonjë surprizë te votat e mazhorancës, ndërsa nuk do të marrë miratimin e opozitës. Neni 161 i Kushtetutës citon se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
TIRANË Ardian Fullani është emri që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi dje për Guvernator të Bankës së Shqipërisë. Dje në mesditë Presidenti i Republikës ka dekretuar emrin e Guvernatorit të ri, ndërkohe që emri i Fullanit nuk ka qenë surprizë të paktën për partinë në pushtet. Prej kohësh, Fullani përflitej si kandidatura më e mundshme për t’u dekretuar nga Presidenti, ndërsa mazhoranca kishte dhënë mirëkuptimin paraprak për këtë emër, duke e propozuar sërish për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, një javë më parë. Andaj kandidatura e Ardian Fullanit nuk do të sjellë ndonjë surprizë te votat e mazhorancës, ndërsa nuk do të marrë miratimin e opozitës. Neni 161 i Kushtetutës citon se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ndërkohë që neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë citon se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Për pasojë, Presidenti i Republikës ka dekretuar një ndër emrat e propozuar (kësaj here nga qeveria) për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës. Kandidatura e Ardian Fullanit, ndryshe nga ç’mund të mendohet, nuk është një kompromis i fshehtë mes Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Fullani nuk është gjithashtu as pasojë e konsultimeve paraprake që Topi mund të ketë ndjekur me partitë, sa kohë që PS-ja ka deklaruar votën kundër dhe PD-ja ka një marrëdhënie të nderë me Presidentin prej shumë kohësh. Emri i Fullanit është pasojë e një pëlqimi paraprak që vetë Presidenti ka ndaj kësaj kandidature, të cilën e ka vlerësuar më të mirë sesa ekspertët Elisabeta Gjoni, Petraq Milo, apo edhe Ermelinda Meksi. Pak ditë më parë, në seancën e fundit parlamentare, Kuvendi miratoi gjashtë anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita gjetën gjuhën e përbashkët për tri nga kandidaturat: Ermelinda Meksi e propozuar nga Partia Socialiste, Dhori Kule i propozuar nga Partia Demokratike dhe Ela Golemi e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkohë, 3 kandidaturat e tjera, ajo e Ardian Fullanit, Petraq Milos dhe Elisabeta Gjonit, të propozuara nga qeveria, kanë marrë votat e mjaftueshme, por nuk kanë gëzuar shumicën e mbështetjes së opozitës. Dekreti i Fullanit pritet që të përfshihet në procedura parlamentare sipas rregullores së parashikuar nga Kuvendi. Në bazë të nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, me mbërritjen e dekretit, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse emri i dekretuar i plotëson kushtet ligjore.
N.P