Vizita në Turqi, Presidenti Meta takon drejtues të Shoqatës “Vatra” në Stamboll

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës që ai po zhvillon në Turqi, ka zhvilluar një takim me diasporën shqiptare dhe drejtues të Shoqatës “Vatra” në Stamboll. Zoti Meta, në këtë takim, ka vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e traditës kombëtare, kulturës, historisë, dhe trashëgimisë shqiptare.
“Diaspora e hershme dhe e re shqiptare në Turqi është krenari që përfaqëson vlerat tona më të larta kombëtare. Shumë i lumtur që ndodhem në Stamboll mes bashkëkombësve dhe drejtuesve të shoqatës “Vatra” për të vlerësuar kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në promovimin e traditës kombëtare, kulturës, historisë, dhe trashëgimisë shqiptare. Shqipëria dhe Turqia gëzojnë marrëdhënie të gjata e të ngushta miqësore. Këto marrëdhënie do të qëndrojnë të tilla sepse në themel të tyre është miqësia dhe lidhja e ngushtë ndërmjet popujve tanë, ku diaspora shqiptare ka një rol të pazëvendësueshëm”, shkruan zoti Meta në rrjetet sociale.
/rtsh.al/