E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vuçiç uron presidentin e ri shqiptar: I bindur se do të zhvillojmë marrëdhënie të mira dhe miqësore

Pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë të presidentit të ri të vendit, Bajram Begaj, në drejtim të tij kanë ardhur shumë mesazhe urimi edhe nga politikanë e drejtues të ndryshëm, si në BE edhe në Ballkan.

Nuk ka munguar edhe urimi nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duke u shprehur i bindur se do të zhvillojnë marrëdhënie të mira dhe një bashkëpunim ekonomik që do t’i shërbejë më shumë qytetarëve.

“Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë dhe ju uroj që ta kryeni me sukses këtë detyrë të përgjegjshme. Jam i bindur se do të zhvillojmë marrëdhënie të mira dhe miqësore dhe bashkëpunim edhe më të mirë ekonomik në shumë fusha, në të mirë të qytetarët”, është shprehur Vuçiç.

Bajram Begaj është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro dhe 4 kundër dhe 1 abstenim në raundin e  katërt të votimit. Begaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, do të jetë presidenti i 8-të i vendit që pas shpalljes së pluralizmit. Ai u prezantu mbrëmjen e të premtes nga maxhoranca socialiste.

/rtsh/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›