E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizitori bëri thirrje për stabilitet e vazhdimësi

Vizita e djeshme e kryeministrit italian Silvio Berluskoni regjistroi një konsensus të gjerë tek politika dhe opinioni publik, konsensus që ishte i lexueshëm tek pasqyrimi i gjerë i massmediave, por edhe tek ngërçi që pësoi politika tradicionalisht obstruksioniste e Edvinit dhe e lakenjve të tij mediatikë. Me përjashtim të disa cipëplasurve të Mjaft-it apo ndonjë analisti që kishte vënë mllefin personal mbi emrin e tij publik, të gjithë faktorët e tjerë në vend përshëndetën kursin e kabinetit “Berisha”, i cili me marrëveshjet e firmosura dje, kishte mundur të konfirmonte si s’ka më mirë se bashkëndante mendimin se mes Shqipërisë e Italisë ka një partneritet strategjik, i cili s’është vënë asnjëherë në dyshim prej tij, e se paraardhës institucionalë që e kanë bërë këtë punë, kanë konsumuar - më së paku – një gabim të madh. Edi Rama s’mundi dje të porosiste asnjë lakè të lëshonte akuza se marrëveshjet e nënshkruara kishin hije dyshimi, kishin tis propagandistik apo se përtej tyre fshihej ndonjë e pabërë korruptive. Asgjë nga këto. Edhe përrallat e Zërit të Popullit për qëndrimin neofashist të qeverisë së Berluksonit ishin fashitur. Vizita e djeshme e kryeministrit italian ishte një moment i madh i thirrjes në seriozitet të politikës shqiptare. Përtej tollovisë së ditës, e ëndrrave me zgjedhje e me rotacione, të gjithë panë dje se kryeministri Sali Berisha kishte mundur ta ringrinte Shqipërinë në nivelin e një partneri serioz, me të cilin mund të diskutohen çështje të rëndësishme të skakierës përtejrajonale. Silvio Berluskoni lavdëroi dje publikisht, pa marrë parasysh etikën e “par conditio”-s që ekziston në situata të tilla paraelektorale lidershipin e kryeministrit shqiptar dhe duke pasur besim të plotë edhe tek vlerësimi i elektoratit, u shpreh i sigurtë se projektet e mëdha italo-shqiptare nuk do të mund të ndalen, për shkak se kryeministri Berisha do të jetë aty edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Deklarimi mund të ketë shkaktuar kafshimin e buzëve tek fanatikët, të cilët mbi interesat kombëtare kanë optikën e gardhit, klanit e plevicës socialiste, por përtej këtij momenti psikik s’ka pasur gjë tjetër. Vizita e kryeministrit Berluskoni ishte një vizitë që konfirmonte stacionin cilësor ku po hynin marrëdhëniet italo-shqiptare, prandaj edhe ky lexim s’mund të prishej nga axhaminjtë e PS-së. Kjo cilësi e re, këto investime strategjike kërkojnë para së gjithash stabilitet e vazhdimësi. Vizitori i nderuar e tha dje krejt pa dorashka këtë kërkesë të komunitetit ndërkombëtar e prandaj, i përket anës këndej detit të bëjë ç’është e mundur që 2,5 miliardë eurot e investimeve të shtohen edhe me 3 miliardë të tjera, që Italia të jetë e para që të vendosë heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët e që Roma ta marrë edhe formalisht katedrën e avokatit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Puna e parë që na del përpara është ridikulizimi i atyre mercenarëve që dolën dje e folën për paqartësi në marrëdhëniet italo-shqiptare. Ata xhanëm tashmë janë krejt qesharakë, rioshë të shqetësuar se kur do t’i marrin shpërblimet për hajgaret që shpërfaqën rrugëve. Megjithatë, agjencitë e specializuara do të bëjnë mirë të nisin hetimet për listëpagesat e horrave që s’po ndalen në tollovitë e tyre antikombëtare. Listëpagesat janë problemi serioz që regjistroi dita e djeshme. Fatmirësisht, nga opozita dje s’bëzajti njeri e formalisht pati edhe një distancim. Pas izolimit e ridikulizimit të horrave do të vijë edhe dita e përgjigjeve dhe e përgjegjësive. Është padyshim një akt shumë më i rëndësishëm sesa shqetësimi i rotacionit politik. Kursi i qeverisë shqiptare, posaçërisht i diplomacisë së saj, mori prej një zëri autoritar të politikës ndërkombëtare certifikimin “excellent”. S’mbetet gjë tjetër veç të garantojmë vazhdimësinë e këtij kursi – e s’do mend e as kalem për ta kuptuar se rruga më e mirë e më e shkurtër është garantimi i vazhdimësisë së protagonistëve, në pozicionet aktuale; pra i kryeministrit Berisha që përfaqëson partnerin serioz të këndej Adriatikut dhe të opozitarit Edi Rama që duartroket këtë kurs, në zyrën e presidentit të republikës. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›