Italia, avokatja e parë e Shqipërisë për në BE, pas kërkesës për anëtarësim
Për sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave me BE-në, kryeministri italian konfirmon se qëndrimin i tij është në drejtim të heqjes së barrierave, qëndrim ky që është shprehur edhe nga ministri i Jashtëm italian, Franko Frattini.
Italia garanton edhe njëherë, se do të mbështesë fuqimisht integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryeministri italian Silvio Berluskoni, konfirmoi dje në Tiranë, se “Italia do të ketë nderin dhe krenarinë që të jetë avokati parë i Shqipërisë, në momentin që ajo do të vendosë të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit kandidat për hyrjen në BE. Kjo është një politikë që unë personalisht e ndjek prej kohësh do të vazhdoj ta ndjek, sepse besoj se të gjitha këto konfliktet etnike dhe konfliktet ndërkombëtare që fatkeqësisht ende vazhdojnë këtu në zonën e Ballkanit, do të marrin fund njëherë e përgjithmonë vetëm me hyrjen e plotë të këtyre vendeve ballkanike në familjen e vendeve evropiane”, tha Berluskoni.
Kreu i qeverisë italiane nuk harroi të përmendë edhe anëtarësimin e afërt të Shqipërisë në NATO, duke e konsideruar këtë si një arritje madhore të vendit tonë. “Tashmë kemi një arritje shumë të rëndësishme të Shqipërisë, besoj edhe falë mbështetjes italiane, që është ajo e hyrjes së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Berluskoni.
Për sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave me BE-në, kryeministri italian, konfirmoi se qëndrimin i tij është në drejtim të heqjes së barrierave, qëndrim ky që është shprehur edhe nga ministri i Jashtëm italian, Franko Frattini.
Lufta kundër kriminalitetit, si detyrë e të dy qeverive, ishte një tjetër temë diskutimi midis dy homologëve.
Për këtë argument, Kryeministri shqiptar Sali Berisha deklaroi në vijim se lufta e përbashkët kundër kriminalitetit mbetet një detyrë për qeveritë tona. Berisha tha se në takimin me kryeministrin italian Silvio Berluskoni, u ra dakord për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi në këtë fushë.
“I premtova Kryeministrit se që javën e ardhshëm mund të fillojmë procedurat për transferimin në Shqipëri të të burgosurve shqiptarë që aktualisht vuajnë dënimin në burgjet italiane. Unë shpreha gatishmërinë e qeverisë sime për të firmosur të gjitha marrëveshjet e nevojshme për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Pra, ne ramë dakord për bashkëpunim në të gjitha fushat”, u shpreh Berisha.
Pyetje-përgjigjet në konferencën për shtyp
Zoti kryeministër Berluskoni, ju thatë se Italia do të jetë avokat i Shqipërisë, në momentin që Shqipëria do ë paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por, lidhur me çështjen e liberalizimit të sistemit të vizave, cili është mendimi juaj, a do të liberalizohen vizat për Shqipërinë në Bashkimin Europian, gjatë vitit 2009?
Kryeministri Berluskoni: Pozicioni im në këtë drejtim është plotësisht pozitiv dhe kjo u shpreh edhe gjatë vizitës së fundit që pati në Shqipëri përfaqësuesi i qeverisë sime, ministri i Jashtëm, Franko Frattini.
Zoti Berisha, kryeministri Berluskoni ka deklaruar dje në një intervistë për një të përditshme se do të kërkojë votën e Shqipërisë për në OKB. A ka qenë kjo pjesë e diskutimeve tuaja dhe a do ta mbështesë qeveria shqiptare kandidaturën, duke qenë se edhe Gjermania ka bërë një kërkesë të tillë?
Kryeministri Berisha: Kjo çështje nuk u diskutua në këtë takim. Është një çështje që ekziston dhe do ta diskutojmë me çiltërsi, të hapur dhe në bashkëpunim të plotë, kur t’i vijë koha.
...