Berluskoni: Me Berishën, Shqipëria, superfuqi e Ballkanit

Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni ka çertifikuar lidershipin e Shqipërisë, duke e konsideruar Kryeministrin shqiptar, një reformator që do ta shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi energjetike në Ballkan.
Kryeministri Sali Berisha, priti dje një takim homologun e tij italian, Silvio Berluskoni, i cili zhvilloi dje në vendin tonë, një vizitë zyrtare. Pas takimit kokë më kokë, të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku evidentuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, e cila konkretizohet edhe me marrëveshjet e nënshkruara, me vlerë mbi 2 miliard euro, ndërkohë që marrëveshje të tjera me karakter ekonomik, janë në plan për t’u nënshkruar së shpejti me qeverinë italiane dhe biznesin italian, vlera e të cilave kapërcen 3 miliard eurot.
Kryeministri Berisha
Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, vlerësoi vizitën e kryeministrit italian Silvio Berluskoni, duke e konsideruar këtë të fundit, si mikun e madh të shqiptarëve dhe njëherazi vlerësoi bashkëpunimin e çmuar që të dy vendet kanë në thelb të marrëdhënieve bilaterale.
“Shqiptarët gjithmonë kanë parë tek kryeministri Berluskoni një mik të madh e të çmuar dhe do ta kenë gjithnjë atë. E kam takuar shpesh herë mikun tim të madh Silvio Berluskoni në kohë të vështira dhe në të gjitha kohërat. Por sigurisht ky takim më jep një kënaqësi të madhe, sepse para syve tuaj, të shqiptarëve dhe italianëve, firmosëm marrëveshje që kapin shumën e 2 miliard eurove, por, siç i thashë mikut tim Berluskoni, marrëveshje të tjera me një shumë prej 3 miliard euro do të firmosen së shpejti me firma të tjera italiane, që sigurisht do t’i hapin rrugëve investimeve të reja”, deklaroi Berisha.
Berisha tha se me Kryeministrin Berluskoni diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat, së pari, në atë energjetike.
“Në vizionin tim, Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi e vogël energjetike në Ballkan. Ne kemi mbi 20 miliard kilovat/orë energji për t’u shfrytëzuar, kemi një potencial të jashtëzakonshëm eolik, pra, të energjisë me erë, kemi licencuar prodhimin e më shumë se 1 mijë megavat të energjisë eolike, por ekzistojnë kapacitete për prodhimin e 4 mijë megavat të tjerë në këtë sektor. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me prodhimin e energjisë bërthamore dhe tek Italia, unë shikoj partnerin e parë për të bashkëpunuar në këtë sektor. Së bashku, diskutuam për një bashkëpunim të ngushtë edhe në fushën e turizmit, të punojmë në mënyrë që investitorët italianë të vijnë të investojnë në këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Ne po krijojmë parqet e para industriale, disa ndër të cilët do të administrohen nga italianët”, u shpreh Berisha.
Kryeministri vuri në dukje reformat e qeverisë gjatë tre viteve të fundit, kryesisht në përmirësimin e klimës së biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja, tepër të nevojshme për vendin tonë. Sipas kryeministrit, në këto tre vite, qeveria ka bërë shumë, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë italiane, Ambasadën italiane dhe pa harruar bashkëpunim me Institutin e Tregtisë së Jashtme.
Kryeministri Berisha nënvizoi se investitorët italianë do të gjejnë tek qeveria shqiptare, të gjithë lehtësirat, në sajë të reformave të thella që ka realizuar dhe tashmë konsiderohet si vendi me taksat më të ulëta në Evropë.
“Shqipëria ka reduktuar burokracinë për hapjen e një biznesi në Shqipëri dhe tani biznesi mund të regjistrohet në gjysmë ore në një sportel të vetëm, e njëherazi janë hequr 2/3 e licencave dhe lejeve, po krijojmë ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat e mbetura”, theksoi Berisha.
Kryeministri Berluskoni
“Jam i nderuar të theksoj se Italia është një mike shumë e ngushtë e Shqipërisë në këta dhjetëvjeçarë të mundimshëm, që kanë karakterizuar jetën shqiptare”.
Kështu u shpreh dje, kryeministri italian Silvio Berluskoni, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha. Berluskoni tha se Italia mbetet një ndër investitorët më të mëdhenj të Shqipërisë në fushën e ekonomisë.
“Që pas viteve ‘90 këto marrëdhënie kanë ardhur drejt intensifikimit duke u shtrirë në sektorin e infrastrukturës, atë bankare, industri dhe energjetikë. Për Shqipërinë, Italia, mbetet partneri i parë tregtar. Të gjithë e dimë që Shqipëria vjen nga një diktaturë shumë e egër dhe nga një ideologji shumë e tmerrshme dhe pas asaj periudhe shumë të vështirë për shqiptarët, u gjet një zgjidhje nëpërmjet bashkëpunimit shumë të ngushtë mes forcave të policisë mes dy vendeve tona dhe nuk ka pasur më probleme”, tha Berluskoni, duke theksuar se “shpresoj që edhe në vazhdim të nisim një bashkëpunim shumë të ngushtë mes dy vendeve tona, një bashkëpunim që do të mbështetet fuqimisht nga Italia, e cila ka qenë gjithmonë një përkrahëse e fuqishme e Shqipërisë në këto vite dhe do të vazhdojë të jetë e tillë”.
Sipas kryeministrit italian, ngushtësia e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, dëshmohet edhe nga prania në Itali e më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh që jetojnë aty.
“Janë rreth 85 mijë nxënës shqiptarë të regjistruar në shkollat italiane dhe krahas tyre, janë edhe rreth 18 mijë studentë shqiptarë që frekuentojnë universitetet italiane. Këto marrëdhënie lehtësohen shumë edhe nga njohja e gjuhës italiane këtu në Shqipëri”, shtoi Berluskoni, duke shprehur vlerësimet më të larta lidhur me faktin e njohjes së gjuhës italiane nga rreth 80 % e popullsisë shqiptare.
Delegacioni
- Ambasadori italian, Saba D’Elia dhe Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, firmosin Marrëveshjen dypalëshe në fushën e Punës si dhe Protokollin Zbatues.
- Ambasadori Italian në Shqipëri, Saba D’Elia dhe Ministri i Financave shqiptare, Ridvan Bode, firmosin Marrëveshjen Kuadër për Bashkëpunimin për Zhvillim.
- Drejtori Ekzekutiv i Grupit Falcione, Edmondo Falcione dhe Ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë së Shqipërisë, Genc Ruli, firmosin lejen e ndërtimit për realizimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit.
- Presidenti i Grupit Moncada Costruzioni, Salvatore Moncada dhe Ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë, Genc Ruli, firmosin Deklaratën e Përbashkët për realizimin e një impianti eolik në jug dhe jug-lindje të Vlorës dhe të linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar.
- Drejtori Ekzekutiv i Colacem, Dr. Colaiacovo dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë, Sokol Olldashi, firmosin Deklaratën e Përbashkët për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldre.
- Presidentja e “Todini Costruzioni Generali”, zonja Todini dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, firmosin Deklaratën e Përbashkët për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Damës.
...