Presidenti Topi priti dje kryeministrin Italian, Silvio Berluskoni
“Shqipëria ecën e sigurt dhe me shpejtësi drejt familjes evropiane”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti dje në Pallatin e Brigadave Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë. Kryetari i Shtetit, pasi i uroi Berluskonit mirëseardhjen në Shqipëri, vuri në dukje se të tilla vizita dhe kontakte të rëndësishme kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë. Presidenti Topi duke shprehur një konsideratë të veçantë për këtë vizitë e konsideroi Berluskoni si mik të vyer të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pasi emri i tij është shumë i njohur prej vitesh në Shqipëri.
Gjatë bisedës më kryeministrin italian Berluskoni, kreu i Shtetit u ndal edhe tek marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve fqinje, duke vlerësuar se Italia ka qenë përherë partner kryesor dhe strategjik i Shqipërisë, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke vënë në pah përpjekjet serioze të vendit tonë për anëtarësimin në familjen euroatlantike dhe atë evropiane.
Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për një intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjetike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Nga ana e tij, Kryeministri italian Berluskoni, pasi shprehu mirënjohjen ndaj Presidentin Topi për mikpritjen e ngrohtë shqiptare, u ndal në ndryshimet e mëdha që vërehen në Shqipëri, përpjekjet e shqiptarëve për një jetë më të mirë, përparimin dhe ndryshimet e jashtëzakonshme të shënuara nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni u shpreh se tashmë Shqipëria mund të ecë e sigurt dhe me shpejtësi drejt familjes evropiane dhe asaj euroatlantike, duke deklaruar në të njëjtën kohë se si kryeministër i Italisë ai do të jetë avokati kryesor duke mbështetur Shqipërinë në përfshirjen e saj në gjirin e familjes evropiane. Berluskoni deklaroi gjithashtu se, si një vend anëtar i BE-së, Italia do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj të gjithanshme për Shqipërinë gjatë gjithë procesit të përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar.
Kreu i shtetit shqiptar dha dje në Pallatin e Brigadave një drekë zyrtare për nder të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni dhe delegacionit që e shoqëron ku ishin gjithashtu të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri, Sali Berisha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, parlamentarë, anëtarë të kabinetit, drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.
...