Avokati i Popullit: Paraburgimi i Korçës, jashtë standardeve
Pas një inspektimi e takimi me banorët janë zbuluar një sërë problemesh në institucionet shtetërore të juglindjes
KORÇË- Institucionet shtetërore në qytetin e Korçës janë kthyer në një vatër problemesh aq sa edhe përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë nisur një inspektim për të verifikuar situatën në terren. Në mënyrë të veçantë, situata paraqitet më problematike për dhomat e paraburgimit, ku edhe numri i ankesave nga qytetarët është më i madh. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit janë takuar dje me banorët e kryeqendrës së juglindjes ku edhe janë njohur me problemet kryesore të tyre. Në fund të takimit, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit pohuan se do të qëndrojnë për dy ditë në rrethin e Korçës për të marrë ankesat e të gjithë qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.
Në takimin e djeshëm është vënë re një fluks ankesash në lidhje me konfliktet e pronësisë, Zyrën e Përmbarimit, çështjet e strehimit etj. Por më të rëndësishmet kanë qenë ankesat nga familjarë të të burgosurve që gjenden në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Korçës. Skënder Haluci, zëvendës i Avokatit të Popullit, ka bërë të ditur se situata në dhomat e paraburgimit në Korçë është alarmante, ndërsa duket se ankesat ndaj Zyrës së Përmbarimit gjithashtu janë të shumta, por dhe të institucioneve të tjera, deri dhe ato të drejtësisë për çështje që lidhen me konflikte të vjetra pronësie. Haluci në një prononcim për gazetën ka bërë të ditur se do të ketë kontakte me qytetarët edhe në komunën e Pojanit por dhe komunën e Liqenasit e populluar nga minoritet maqedonas për të dëgjuar nëse ka ankesa ndaj institucioneve shtetërore nga ky minoritet. “Situata më alarmante në juglindje lidhet me të burgosurit në dhomat e paraburgimit, të cilët jetojnë në kushte mizerabël jashtë të gjitha standardeve të kërkuara”,- kanë bërë të ditur përfaqësuesi i Avokatit të Popullit. Sipas këtyre inspektorëve, nga 40 persona që është kapaciteti i këtyre dhomave të paraburgimit aktualisht në to strehohen plot 120 të burgosur. “Ky numër jo vetëm që është i lartë, porse jetesa e tyre është tejet e rënduar duke u cenuar hapur të drejtat e njeriut”,- thanë inspektorët e Avokatit të Popullit. Gjatë ditës së djeshme, ata kanë marrë kontakte dhe me përfaqësues të dhomave të paraburgimit duke negociuar në zhvendosjen sa më të shpejtë të të burgosurve në burgun e ri të Drenovës, i ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian. Ndonëse ndërtimet në këtë burg kanë përfunduar, çështja e furnizimit me ujë të pijshëm të rreth 850 të ndaluarve që do të vuajnë dënimin aty, është duke mbajtur peng të burgosurit në komisariatin e Korçës. Madje një pjesë e tyre është hedhur në protestë pak kohë më parë por pa përfituar asnjë përmirësim kushtesh. Zv/avokati i Popullit, Skënder Haluci, ka bërë të ditur gjithashtu se ka pasur dhe raste dhune ndaj të burgosurve, ndërsa këta të fundit nuk janë lejuar të informojnë në kohë përfaqësuesit e këtij institucioni, për të shmangur kontaktin me të burgosurin edhe në raste kur ai ka pasur shenja të dhunës fizike. “Nga ana jonë është kërkuar marrja e masave të menjëhershme tek drejtuesit e dhomave të paraburgimit, ndërsa duket se situata është e njëjtë dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Drejtësisë, ka bërë të ditur përfaqësuesi i Avokatit të Popullit.