Vjedhja me mashtrim, burg pa afat ish-shoferit të Gjykatës së Lartë
TIRANE Gjykata e kryeqytetit vendosi dje masën e sigurisë arrest me burg për shtetasin Stavri Vaso, ish-shoferi i Gjykatës së Lartë, i arrestuar dy ditë me parë për akuzën e mashtrimit. Gjyqtari Agron Zhukri pranoi kërkesën e Prokurorisë për mbajtjen në qeli të Stavri Vasos deri në fund të hetimit. Ai është arrestuar me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit. Një nga dëshmitarët e akuzës është motra e tij, E. Vaso, e cila para oficerëve të Policisë Gjyqësore ka pranuar se kishte dijeni mbi shumën e parave që vëllai i saj i kishte marrë një çifti bashkëshortësh nga Shkodra. Bëhet fjalë për 23 milionë lekë të vjetër, të cilët dyshohet se ish-shoferi i Gjykatës ua ka marrë bashkëshortëve me premtimin se do të ndërhynte te AKKP e Tiranës. Duke iu prezantuar si shoferi i kryetares së Gjykatës së Lartë, ai u kishte premtuar se ndërhyrja e tij do të përshpejtonte procesin e kompensimit monetar në lekë të një sipërfaqeje prej 2114 m2 truall në Shkodër, ish-pronë e tyre. Njëkohësisht E. Vaso ka pranuar të ketë plotësuar një mandat pagese, përmes të cilit vëllai i saj, Stavri, do të justifikohej përpara të mashtruarve të tij. Ky mandat arkëtimi u cilësua si i falsifikuar më pas nga ana e punonjësve të AKKP-së, kur kallëzuesit u interesuan për depozitimin e tij. Deklarimet e E. Vasos zbardhen në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që caktoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj Stavri Vasos, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta. Është pyetur edhe motra e shtetasit Stavri Vaso, shtetasja E. Vaso, e cila i ka njohur shtetasit H. T. dhe T. T. nga vëllai i saj. Ajo është takuar me ta pas kërkesës së Stavrit me qëllim për të shpjeguar lidhur me procedurat që duheshin ndjekur për të përfituar kompensimin. Sipas saj, në muajt shkurt-mars të vitit 2011, vëllai i saj i ka kërkuar një mandat arkëtimi për të justifikuar te H. T. që është kryer pagesa për pranimin e dosjes në AKKP Tiranë. Këtë mandat pagese e ka plotësuar në shtëpi shtetasja E. Vaso sikur prej saj ishte paguar 2000 lekë në AKKP për aplikim për pranim dosjeje. Gjithashtu, E. Vaso ka deklaruar se shtetasit H. T dhe T. T. i kanë treguar që i kanë dhënë vëllait të saj Stavri Vaso shumën 23 000 000 lekë me qëllim që të merrnin sa më shpejt lekët e kompensimit, thuhej në vendimin e Gjykatës. Në anën tjetër, në deklarimet e tyre, pala e dëmtuar është shprehur se Stavri Vaso herë pas here kërkonte para në shuma të ndryshme se i duheshin për shefat.