E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja për skrap rrezikon disa punëtorë

Hajdutët e skrapit çudisin sërish. Bëma më e fundit është vjedhja e kavove të çelikut që mbajnë kullat e puseve të naftës dhe kjo për pak ka shkaktuar një tragjedi tri ditë më parë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës, në një fshat të Beratit. Kulla metalike e një pusi nafte ka rënë, ndërsa disa punëtorë ishin duke punuar në grykën e tij me një traktor të ndërmarrjes së naftës së Kuçovës. Banorë të fshatit Çiflig të Komunës Poshnjë të Beratit treguan për gazetën "Shqip" se pusi në fjalë ishte në gjendje pune, por prej disa muajsh kavot e çelikta që mbanin kullën e tij ishin vjedhur. Kavot u janë vjedhur edhe rreth 30 kullave të tjera të puseve që ndodhen në këtë zonë dhe ndërmarrja nuk kishte marrë asnjë masë për zëvendësimin e tyre.

Mëngjesin e së martës, disa punëtorë, me një traktor të ndërmarrjes së nxjerrjes dhe prodhimit të naftës, kishin shkuar për të pastruar pusin, por kulla kishte filluar të lëkundej dhe në pak sekonda ishte shkulur e kishte rënë mbi traktor. Fatmirësisht, punëtorët kishin arritur të largoheshin dhe asnjëri prej tyre nuk u plagos.

Ngjarja ndodhi në zonën 44 të sektorit të nxjerrjes së naftës, ku ndodhen mbi 100 puse në proces prodhimi. Shumë nga këto puse ngrihen shumë pranë banesave të fshatit dhe banorët janë të trembur se edhe kullat e tjera mund të rrëzohen, tani që shumicës së tyre u janë vjedhur kavot e çelikta që i mbajnë në këmbë.

Banorët tregojnë se në këtë zonë ka pasur shumë raste të rrëzimit të kullave të puseve, por vetëm në rastin e fundit ato kanë rrezikuar jetë njerëzish.

Por nuk është i të njëjtit mendim drejtori i nxjerrjes dhe prodhimit të naftës, Rustem Berhami, sipas të cilit kullat e puseve janë në gjendje shumë të mirë dhe kavot e çelikta nuk kanë ç‘duhen. I irrituar nga prania e gazetarëve në vendin ku kishte ndodhur aksidenti i rëndë, Brehami tha se nuk ka pasur asnjë avari. "Puset nuk kanë nevojë të mbahen me kavo dhe ne i kemi në gjendje tepër të mirë", tha ai, ndërsa ndodhej vetëm disa metra larg kullës së rrëzuar mbi traktorin e ndërmarrjes që drejton.

Sipas një punonjësi të naftës, i cili nuk deshi të identifikohej, reagimi i drejtorit është i natyrshëm, përderisa ai ka toleruar vjedhjen e kavove, madje edhe të pjesëve të tjera të kullave të puseve, që janë shitur për skrap. Punëtori nuk hedh asnjë akuzë konkrete, por lë të kuptohet se në tregtinë e skrapit janë përfshirë edhe vetë drejtuesit e ndërmarrjes, sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe që nuk merret asnjë masë, e madje nuk bëhet asnjë denoncim kur konstatohet se kullave metalike u mungojnë kavot mbajtëse dhe elementë të tjerë.

Ndërmarrjet e naftës kanë qenë edhe më herët objekt i hajdutëve të skrapit. Në zonën naftënxjerrëse të Fierit ka pasur raportime për vjedhje të kullave të tëra të puseve, por në të gjitha rastet kullat u përkisnin puseve të fondit të ndaluar, pra që nuk janë në prodhim.

Fatin e kullave të puseve të naftës e kanë pasur shpesh edhe kullat metalike të linjave të tensionit të lartë. Përveç rasteve kur ato janë hedhur përtokë me eksploziv dhe më pas janë çmontuar e transportuar pak nga pak, është vënë re edhe fenomeni i vjedhjes së elementëve të këtyre kullave, duke i lënë në këmbë, por krejt të pasigurta.

"Tregtia" e skrapit ka marrë jo pak jetë njerëzish, por deri tani (përjashto Gërdecin) viktimat kanë qenë në radhët e hajdutëve, që herë kanë mbetur të karbonizuar brenda kabinave elektrike që vidhin e herë janë shtypur nga strukturat që çmontonin.

Fatmirësisht, ulja e çmimit të metaleve në tregun botëror e ka bërë më pak të leverdisshëm zanatin e "skrapvjedhësit" dhe mundësia për të pasur viktima të pafajshme është zvogëluar muajt e fundit.

Vjedhjet më të

çmendura për skrap

Ura e Gramshit

Në muajin gusht të vitit 2008 policia kapi dy veta duke vjedhur këmbët metalike të urës që lidh qytetin me zonën e Tomoricës

Ura e Nimçës

Në korrik të vitit 2007, 150 banorë të fshatit Nimçë të Kukësit mbetën të izoluar nga bota, pasi u vodh ura e vetme që kishin

Minatorët

Në tetor të vitit 2007 u zhduk memoriali prej bronzi kushtuar gjashtë minatorëve të rënë në minierën e Krastës së Martaneshit

Adem Jashari

Në vitin 2007 u vodhën germat e bronzta të monumentit të Adem Jasharit në Tiranë, si dhe ato të Naum Veqilharxhit në Korçë

Vojo Kushi

Në vitin 2002 u zhduk për disa orë monumenti i Vojo Kushit në Tiranë, por u gjet në një thes pak metra larg piedestalit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›