Shpërthim në gurore, plagoset elektricisti
Shpërthimi në një gurore në Urën Vajgurore ka shkaktuar plagosjen e një elektricisti. Lavdosh Canko ishte duke punuar për montimin e një shtylle në zonën ku ndodhet gurorja, kur është goditur nga gurët dhe ka rënë nga shtylla. I plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 16:00 të ditës së djeshme në lagjen "Guri i Bardhë", në periferi të Urës Vajgurore. 38-vjeçari ndodhej aty së bashku me dy shokët e tij të punës, duke montuar disa shtylla të tensionit të lartë. Ai ka rënë nga shtylla dhe kanë qenë shokët që i kanë dhënë ndihmën e parë, duke e transportuar drejt spitalit të qytetit të Beratit. Burime të Repartit të Kirurgjisë bënë me dije se 38-vjeçari ka marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe ndodhet jashtë çdo rreziku. Vetë i plagosuri, por dhe dy shokët e tij, kanë deklaruar se fillimisht kishin dëgjuar një shpërthim nga një gurore që ndodhej aty pranë dhe më pas një masiv gurësh ka vërshuar në vendin ku punonte elektricisti. Sapo janë sinjalizuar, drejt vendit të ngjarjes janë nisur ekspertët e policisë, të cilët kanë filluar hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Në zonën e "Gurit të bardhë", ndonëse një lagje e banuar, ndodhen disa gurore për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit. Gjatë procesit të punës për nxjerrjen e gurit përdoret dinamit për shpërthim, gjë që në mjaft raste është bërë shkak për plagosjen e banorëve të zonës. Ndonëse pronarët e guroreve kanë leje për ushtrimin e aktivitetit, në shumë raste nuk respektohen masat për shmangien e aksidenteve apo ndotjen e ambientit. Prej vitesh banorët e kësaj zone janë ankuar për ndotjen tepër të lartë, por asnjëherë nuk janë marrë masa për gjobitjen e drejtuesve të tyre.