E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, shefi i policisë 7 orë peng nga banorët

Incident me shefin e Policisë së Burrelit. Gjovalin Martincamaj është mbajtur peng për disa orë në fshatin Bushkash të Matit nga një grup banorësh, pasi në gjendje të dehur kishte shkaktuar shqetësim tek banorët.
Ngjarja ka ndodhur mes natës së të hënës dhe mëngjesit të djeshëm, duke shkaktuar tension deri në ndërhyrjen e drejtuesve të policisë, çka solli dhe lënien të lirë të Martincamajt. Faktin e konfirmojnë burime të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilat deklarojnë se deri në përfundim të hetimit të kësaj çështjeje, shefi i komisariatit të Burrelit është pezulluar nga detyra. Përfaqësues të SHKB-së kanë nisur hetimin për ngjarjen, për të cilën nuk pati denoncim zyrtar. Edhe pse ngjarja ka bërë bujë, nuk bëhet i njohur shkaku i mirëfilltë i saj. Burime të brendshme të Policisë thonë se incidenti lidhet me veprime të turpshme që Martincamaj ka kryer me banorë të zonës, ndërkohë që kryetari i fshatit e mohon një gjë të tillë. Nga këto burime mësohet se shefi i komisariatit ka qenë në gjendje të dehur mbrëmjen e së hënës. Rreth orës 17:00 ai ka zbritur me makinën e tij në fshatin Bushkash, rreth 15 km nga qyteti i Burrelit. Ai ka shkuar në shtëpinë e një banori të zonës, G.Rica, ku ka qëndruar deri në orët e mesnatës. Kur ka dalë nga shtëpia për tu larguar, banorë të fshatit i kanë bllokuar rrugën, duke mos e lënë të ikë me makinë. Këtë fakt e pohon kryetari i fshatit Bushkash, Gjok Rica. Sipas tij, shefi i komisariatit është ftuar për të pirë kafe nga bashkëfshatari G.Rica, në shtëpinë e të cilit ka qëndruar dhe për të ngrënë darkë. Pak para mesnatës është zgjuar dhe ka mësuar se rruga nga do të lëvizte për të dalë në rrugën nacionale ishte e bllokuar me një makinë tjetër, mjet që disponohej nga të afërmit e familjes Rica, tregon kryetari i fshatit. U është kërkuar disa herë banorëve që kishin bllokuar rrugën ta lironin atë, por kjo nuk ka ndodhur. Për ngjarjen është njoftuar drejtori i Policisë së Qarkut Dibër dhe Ministria e Brendshme. Zyrtarë të kësaj të fundit u kanë thënë me telefon banorëve se nuk duhet ta lironin rrugën deri në mbërritjen e tyre. Në këto momente, sipas Gjok Ricës, shefi i komisariatit Martincamaj është përbetuar disa herë se nuk ka kryer asnjë veprim të turpshëm në fshat dhe se për këtë ishte i gatshëm të përgjigjej edhe sipas Kanunit. Edhe kryefamiljari ku ka pushuar për disa orë Martincamaj, u ka deklaruar kushërinjve të tij, që kishin bllokuar rrugën e fshatit, se shefi i policisë nuk ka kryer asnjë veprim që bie ndesh me moralin. Rreth orës 01:00, në Bushkash të Matit kanë mbërritur inspektorët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kanë pyetur G. Ricën si dhe banorë të tjerë të fshatit. Përdoruesi i makinës që bllokoi rrugën është shprehur se automjeti i tij kishte pësuar defekt dhe e kishte të pamundur ta largonte prej andej, tha Rica. Ai shkoi më tej, kur sqaroi se nuk ishte një person që mbajti të izoluar shefin e komisariatit, por ishin disa djem të rinj, me të cilët edhe kryefamiljari ku qëndroi numri një i Policisë së Burrelit, ka replikuar dhe u ka kërkuar hapjen e rrugës. Rreth orës 02:00, rruga është hapur dhe Martincamaj së bashku me vartësit e tij Sami Neli e Musa Skura ka lëvizur drejt Burrelit. Vetëm disa orë pas ngjarjes u deklarua se Martincamaj është pezulluar nga detyra deri në fund të hetimit, për të saktësuar pse ai ndodhej në fshatin Bushkash dhe në gjendje të dehur, duke provokuar dhe incidentin.

Asnjë palë nuk denoncon ngjarjen
Ndonëse bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë, asnjëra palë nuk ka kryer denoncim për rastin. As shefi i policisë për bllokimin disaorësh në fshatin Bushkash e as banorët e zonës për motivin që i shtyu ata drejt izolimit të Martincamajt. Sipas përfaqësuesve të organit të akuzës së Burrelit, çështja mbetet në dorë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, nisur nga fakti se protagonisti është përfaqësues i rendit.

Komisari
Për Gjovalin Martincamajn ishte emërimi i dytë në përvojën e tij si drejtues policie, në krye të komisariatit të Policisë në Burrel. Ai kishte punuar në këtë rreth disa vite më parë, për tu shkëputur me emërimin në të njëjtën detyrë në Komisariatin e Gramshit. Para rreth 4 muajsh, Martincamaj u caktua sërish në pozicionin e shefit të Policisë së Burrelit, ku dhe u pezullua deri në fund të hetimit nga ana e SHKB-së për rolin e tij në krijimin e incidentit.

Precedentët
Emri i shefit të komisariatit të Policisë së Burrelit është përmendur dhe më parë për vepra të ngjashme në këtë zonë. Këtë fakt e pohojnë dhe burime të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Megjithatë, ata deklarojnë se zyrtarisht nuk ka asnjë çështje në shqyrtim ndaj Gjovalin Martincamajt, pasi personat e prekur nuk kanë kryer denoncim. Burimet e SHKB-së bëjnë të ditur se do të merren në shqyrtim të gjitha incidentet ku është përfshirë Martincamaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›