Bashkia e Korçës, 1 milion lekë gjobë prefekturës

KORÇË - Një gjobë prej 1 milionë lekësh ka sjellë përplasjen e radhës mes Bashkisë së Korçës dhe institucionit të Prefekturës. Ka qenë policia ndërtimore e njësisë vendore që ka ndëshkuar me gjobë në vlerën e 1 milion lekëve prefekturën e Korçës për aneksin e ri të stadiumit "Skënderbeu". Përplasjet mes dy institucioneve janë kthyer në modë muajt e fundit në qytetin juglindor.
Fillimisht, qendra e qytetit ka krijuar debate mes dy institucioneve dhe mes drejtuesve të tyre në distancë, ndërkohë që këtë herë kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, ka urdhëruar policinë ndërtimore të ndërhyjë. Mësohet se shkak për këtë ka qenë fakti që një grup biznesmenësh në Korçë janë duke investuar në aneksin e stadiumit të këtij qyteti për të krijuar kushtet e nevojshme për ekipin e futbollit në sezonin e ri.
Por, kjo sipërfaqe sportive është në pronësinë e bashkisë. Në fakt, krijimi i një fushe të re ka nxitur ndërhyrjen në afro 1 mijë metër katror, ndërkohë që dherat e përfituara nga këto ndërhyrje janë hedhur disa metra më tej në një tjetër ambient sportiv, në afërsi të banesave kolektive.
Bashkia pretendon që kanë qenë banorët ata që kanë njoftuar për hedhjen e inerteve, ndërkohë që ndërhyrja në aneksin e stadiumit është drejtuar nga prefekti i Korçës, Andrea Mano. Kështu, ndaj institucionit që drejton ky i fundit, është vendosur gjoba për ndotje të territorit.
Ndërkaq, prefektura ka reaguar me anë të një deklarate, në të cilën e quan të turpshme veprimin e bashkisë, madje jashtë logjikës juridike, duke i kujtuar se prefektura nuk investon, por thjesht i ka përkrahur bizneset në ndërhyrjen që po bëjnë në krijimin e një ambienti të ri sportiv. Ndërkaq, punonjësit e bashkisë kanë reaguar duke e quajtur gjobën e tyre si krejt të ligjshme teksa hedhin poshtë hamendësimet se gjithçka bëhet për t'i prishur imazhin këtij institucioni.
Rivaliteti në distancë mes kryebashkiakut Niko Peleshi dhe prefektit të Korçës, Andrea Mano, duket se ka një sfond politik, atë të luftës për kreun e ardhshëm të bashkisë që, me sa duket, do të ketë këta dy emra përballë njëri-tjetrit. A. Çakshiri