E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje në qendër të Vlorës, sherri për të dashurën, godet me thikë në zemër adoleshentin

Personi me iniciale A. D qëlloi me thikë Armir Danajn maturant në gjimnazin “Aulona”. Autori i vrasjes dyshonte se bashkëmoshatari i ngacmonte të dashurën

Luan Kondi

Vlorë– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qytetin bregdetar, kur një 18 vjeçar është qëlluar befasisht me thikë në zemër. Ai ka vdekur pak minuta pasi ka mbërritur në spital, ndërkohë që policia ende nuk e ka identifikuar dhe kapur autorin e vrasjes. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Vlorës, kur 18-vjeçari Armir Danaj maturant në gjimnazin “Aulona” u qëllua me thikë nga një person me iniciale A. D.
Ngjarja
Burime nga policia thanë për gazetën se nga hetimet e para dyshohet se adoleshenti ka qenë bashkë me një shokun e tij kur është përballur me të dyshuarin. Ky i fundit dyshohet ti ketë thënë 18-vjeçarit të mos i ngacmonte më të dashurën, dhe më pas e ka goditur me thikë. Sipas policisë, nga hetimet e para dyshohet se shkak i krimit të ketë qenë dyshimet e autorit se Danaj i ngacmonte të dashurën. Në momentin që kreu krimin i dyshuar ndodhej në shoqërinë e një gruaje me iniciale Sh. S., e cila është nëna e vajzës me iniciale S. S., maturante në shkollën “Ali Demi” për të cilën dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Por megjithatë policia sqaroi se ende po punohet për të zbardhur me saktësi motivin e këtij krimi. Mësohet se është shoqëruan në polici shoku i viktimës i cili aktualisht po merret në pyetje, ndërsa është identifikuar autori dhe po punohet për kapjen e tij. Sipas policisë autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një makinë. Ndërkohë që adoleshenti u transportua menjëherë në spital por ndërroi jetë sapo mbërriti në duart e mjekëve, pasi kishte marrë plagë të rëndë në zemër.
Rastet
Vetëm katër ditë më parë në Durrës ndodhi një ngjarje e rëndë. Dy adoleshentë kanë përdorur armë të ftohtë, pas një zënke banale. Për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë, në mushkëri dhe në shpatull, 17 vjeçari, T.P, nxënës në shkollën "Kajtazi", Plazh Durrës. Policia bëri të ditur se nga pyetja e dëshmitareve rezultoi se autori i kësaj plagosje ishte një bashkëmoshatar i identifikuar, por ende i pa arrestuar. Grindja, sipas policisë ndodhi për motive të dobëta dhe rrugaçërie. Pas debatit me njëri tjetrin ai është goditur me thike në shpinë, goditja ka qenë e fortë dhe sipas njoftimeve i kishte shkaktuar dëmtime të mushkërisë shtetasit T. P.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›