E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mrekullia urbanistike e Farkës, mrekullia e korrupsionit”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët inspektojnë zhvillimin urbanistik të Farkës, komunë e cila pak ditë më parë u përdor nga kryeministri Sali Berisha si shembull për Edi Ramën. Deputetët socialistë Erion Braçe dhe Marko Bello, të cilët vizituan dje këtë komunë pohuan se mrekullia urbanistike e Farkës është thjesht mrekullia e korrupsionit. Braçe pohoi se në këtë komunë ka ndodhur një masakër e vërtetë urbane, ndërtimet janë thellësisht pa kriter, kanë pushtuar sipërfaqe të gjelbra dhe i kanë shfarosur ato, ndërkohë që pallatet tetëkatëshe po i ngjiten kodrës. Deputeti i PS-së tha se masakrës urbane i është shtuar dhe masakra mjedisore. “Këtu vite më parë kanë qenë kodrat e kurorës së Tiranës, ato tani nuk janë më. Pas meje shihni atë që quhet Kodra e Diellit, e cila nuk është më, është rrafshuar e mbi të, në majë të saj po ndërtohet pa fund për të plotësuar epshin e babëzisë. Në çdo kodër ku shihni ndërtime kanë qenë plantacione të tëra më ullinj dhe pemë të tjera. Ato nuk janë më! Sikur të kishin gojë ullinjtë do të ulërinin: “Lufter, nuk ta patëm borxh!”, sikur të kishin gojë ullinjtë do të mallkonin ministrin që ka dhënë lejen mjedisore për shkatërrimin e tyre”, - tha ai, duke sulmuar në këtë mënyrë dhe ministrin e Mjedisit. Sipas deputetit socialist, në këtë zonë ka probleme të shumta dhe të furnizimit me ujë të pijshëm apo me energji elektrike si dhe mungesë të kanalizimeve. “Ky është modeli i Sali Berishës, modeli i bombave sociale pranë qyteteve”, - tha ai, ndërsa shtoi se në themelet e masakrës urbane qëndron grabitja e madhe me titujt e pronësisë. Ai kërkoi që Kryeministri të ndalojë masakrimin e komunës së Farkës dhe të nisë investimet për t u shërbyer banorëve.
Ky lajm është publikuar: 03/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›