E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen Platini, Bylis proteston kundër FSHF-së“Do të protestojmë përpara selisë së FSHF-së, këtij organizmi që prej kohësh ka injoruar denoncimet që ne dhe klube të tjera kanë bërë ndaj futbollit të pandershëm dhe gjyqtarëve të korruptuar,”

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini do të vijë në Tiranë të martën, por bosin e qeverisë evropiane të futbollit në vizitën e tij të pestë në Shqipëri do ta “shoqërojë në distancë”, protesta e drejtuesve dhe tifozëve të Bylisit, në lidhje me gjykimet jokorrekte.

Sipas tyre, të paktën në katër raste “xhaketat e zeza” e kanë tepruar me ballshiotët: gjyqtari Aranit Lulaj në ndeshjen Bylis-Besa (2-3), Sokol Çekaj në ndeshjen Vllaznia-Bylis (1-0), gjyqtarin Erion Dobi në ndeshjen Bylis-Tirana (0-0) dhe Lorenc Jemini në ndeshjen Teuta-Bylis (1-0).

Sipas asaj që deklaroi sulmuesi i njohur Klevis Dalipi për “Ora sport”, Bylisit i janë mohuar të paktën 5 pikë, që sipas tij do ta çonin skuadrën e presidentit karizmatik Besnik Kapllanaj në kuotën e e 14 pikëve, e jo të 9 pikëve që ka aktualisht.

“Do të protestojmë përpara selisë së FSHF-së, këtij organizmi që prej kohësh ka injoruar denoncimet që ne dhe klube të tjera kanë bërë ndaj futbollit të pandershëm dhe gjyqtarëve të korruptuar,” citohet në deklarimin e drejtuesve të klubit.

“Nuk është vetëm ndeshja me Teutën, ku ne penalizohemi me pa të drejtë me mohimin e pikëve më se të merituara”, thuhet në deklaratën e tyre, drejtuesit e Bylisit, të mbështetur fuqishëm nga bashkia e këtij qyteti dhe shoqata e tifozëve.

Mishel Platini do të takohet me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pangon (13:45), në selinë e këtij të fundit, ku priten të diskutohen edhe problemet që ekzistojnë midis qeverisë dhe FSHF-së.

E Hene, 10 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›