Liga e dytë e Maqedonisë, Shkëndija vazhdon të shkelëSkuadra e Shkëndijës ka shënuar edhe një fitore të re, kësaj radhe në Shkup ndaj Maxhari Solidarnostit, të cilës i shkaktuan humbje të thellë prej 4:0.

RESHAT IBRAHIMI (Shkup, 10 nëntor) – Skuadra e Shkëndijës ka shënuar edhe një fitore të re, kësaj radhe në Shkup ndaj Maxhari Solidarnostit, të cilës i shkaktuan humbje të thellë prej 4:0. Pas një pjesëloje të parë pa gola, kuqezinjtë në pjesën e dytë demoluan vendasit, me golat e shënuar nga Argjend Beqiri (2) dhe Ertan Hasan (2). “Mendoj se në pjesën e parë e nënçmuam kundërshtarin dhe në pjesën e dytë u desh që më me seriozitet ta marrim lojën. Si rezultat i një loje më të mirë erdhën katër golat e shënuar, ndërsa të them të drejtën nuk kam pritur se unë do të jem autor i dy golave”, tha sulmuesi Hasan, i cili sikur të kishte hyrë më herët në lojë (u aktivizua nga minuta e 70-të) ndoshta do të shënonte edhe “hat-trick”.
Me këto tre pikë të reja skuadra e Shkëndijës gjendet në vendin e shtatë me 20 pikë të grumbulluara, katër pikë më pas se Teteksi i vendit të parë. Slloga në terren të vet ka fituar ndaj Miravcit me rezultat 1:0, me golin e vetëm të shënuar nga Xhynejt Saliu në minutën e 70’ të takimit. “Jam i kënaqur me fitoren dhe tre pikët e fituara. Në pjesën e parë ishim më të mirë, por goli erdhi në pjesën e dytë. Ndoshta është dashur të fitojmë me rezultat më të thellë, por edhe fitorja prej 1-0 nuk është e keqe. Kryesorja është se fituam tre pikë”, deklaroi trajneri i “pëllumbave”, Mensur Nexhipi. Ndërkaq, Drita si mysafire barazoi me Kozhuvin 2:2 në fushën e këtyre të fundit. “Ndeshja ishte interesante me raste nga të dyja palët. Ne dy herë ishim në avantazh (Sulejmani dhe Simovski), mirëpo nikoqirët dy herë e barazuan rezultatin, pas gabimeve tona në mbrojtje. Deri diku jam i kënaqur, pasi luajtëm pa katër lojtarë titullar dhe ndërpremë serinë prej dy humbjeve radhazi. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme t’i kthehemi fitoreve”, tha trajneri Beqiri.
Rezultatet:
Bregallnica – Skopje 4-2
Maxhari – Shkëndija 0:4
Lokomotiva – Vardar D. 10-0
Bellasica – Ohri 3-1
Novaci – Nov Milenium 4:0
Slloga – Miravci 1-0
Kozhuv – Drita 2-2
Teteks - Cementarnica 2:0
Java e 13-të:
Drita – Bregallnica
Cementarnica –Kozhuvi
Miravci – Teteksi
Nov Milenium – Slloga JM
Ohri – Novaci
Vardar D. – Bellasica
Shkëndija – Lokomotiva
Skopje – Maxhari Sol.
E Hene, 10 Nentor 2008