E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjet 900 raste me tuberkuloz, MSH e kënaqur

Në Ditën Botërore të Luftës kundër Tuberkulozit, në Prishtinë u tha se në numri i rasteve të reja me këtë sëmundje ngjitëse në Kosovë po bie, ndërsa autoritetet kosovare, të përkrahura edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi Global, kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt eliminimit të saj.

Shënimi i 24 Marsit - Ditës Botërore të Luftës kundër TBC-së u shënua me aktivitete dhe një tryezë në Prishtinë, për të vijuar me aktivitetet të tjera edhe në qendrat rajonale në Kosovë, thuhet në një komunikatë shtypi të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH).

Dr. Mybera Mustafa, zëvendësministre e Shëndetësisë, tha se Dita Botërore kundër TBC-së, është mundësi e mirë për riafirmimin e zotimit të MSh-së për ndërmarrjen e të gjitha masave që eliminimi i TBC-së gradualisht të bëhet realitet, duke zvogëluar rastet dhe duke ulur vdekshmërinë.

“Në kohën kur sipas shënimeve të pulmologëve tanë, vetëm gjatë vitit të kaluar, kemi pasur rreth 900 raste të TBC-së dhe kur një e treta e popullatës së botës është e infektuar nga kjo sëmundje, dhe sipas statistikave në çdo dhjetë sekonda në botë vdes një person nga TBC-ja, MSh-ja i inkurajon të gjithë profesionistët që të japin maksimumin nge vetja e tyre, duke i ndihmuar pacientët me mjekim, por edhe duke i vetëdijesuar dhe edukuar të tjerët se tuberkulozi mund të parandalohet dhe të mjekohet dhe se mjekimi i kësaj sëmundje është falas në vendin tone”, tha Mustafa.

Zëvendësministrja theksoi se fakti që në dy -tre vjetet e fundit në Kosovë ka më pak së 1000 raste të TBC-së brenda një viti, flet se në luftën kundër TBC-së po bëhet punë e mirë , ndërkohë që sfida kryesore mbetet trajtimi i rasteve me tuberkuloz rezistent.

Sipas saj, MSh-ja mbetet e përkushtuar të sigurojë në vazhdimësi terapinë për të sëmurët nga TBC që në Kosovë jepet falas, por edhe për sëmundje të tjera, të zhvillojë programe preventive dhe të ngre kapacitetet fizike dhe profesionale në dispozicion në nivel më të lartë duke ngritur edhe kapacitete të reja sikur që është Klinika e Sëmundjeve të Kraharorit, që po ngrihet në Pejë, një institucion ky që pa dyshim do të reflektojë pozitivisht në përpjekjet për eliminimin e TBC-së në Kosovë. “Mos të harrojmë, ne kemi popullatën më të re në rajon dhe në Evropë, por përveç se e re, ajo na duhet edhe e shëndoshë!”, theksoi zëvendësministrja Mustafa.

Dr. Rukije Mehmeti, menaxhere kombëtare për TB theksoi se numri i rasteve të reja të regjistruara në Kosovë viteve të fundit flet për rënie të TB-së.
“Më 1999, kishim 1775 raste të reja në vit, më 2009 kishim 901 raste dhe ky është një rezultat inkurajues, por që nuk na lejon komoditet, por kërkon edhe më shumë përpjekje që të arrihet eliminimi I TB në vendin tonë”, theksoi Mehmeti.

Ajo tha se rezultatet e mjekimit sipas DOTS strategjisë (dhënia e barit për pacientin nën përkujdesjen e punëtorit mjekësor) po jep rezultate të mira, ndërsa imperativ mbetet të punohet edhe më tej sidomos në preventivë që TBC të eliminohet.

Dr. Xhevat Kurhasani nga OJQ “KeA”, ka folur për rastet rezistente në TBC, që sipas tij në Kosovë janë pesë të tilla, ndërkohë që ka theksuar nevojën që të gjithë akterët të shprehen me vullnet të plotë në përkrahjen e luftës kundër TBC-së.

Shënimi i Ditës Botërore kundër TBC-së, po mbahet me moton : “Bashkohu me ekipin tonë , ta mundim tuberkulozin”, si organizim i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe aktorët e tjerë të kyçur në luftën kundër kësaj sëmundje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›