Pittella-Topit: Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses detyrimet integruese Presidenti Topi gjatë takimit me Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Gianni Pittella

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Gianni Pittella dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Pasi bëri një përshkrim të shkurtër të situatës politike aktuale në vend, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve me Parlamentin Evropian dhe vlerësoi rolin e pamohueshëm të Parlamentit Evropian në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Me këtë rast, Presidenti shqiptar shprehu dhe vullnetin për rritjen e kontakteve me Parlamentin Evropian, si një element me rëndësi në avancimin e procesit të integrimit, duke theksuar rëndësinë e liberalizimit sa më të shpejtë të regjimit të vizave si përmbushje e një aspirate madhore të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht në familjen tradicionale evropiane. “Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni dhe afirmon njëkohësisht rolin e BE-së, si një organizatë ndërkombëtare me influencë të gjerë”, tha Topi. Ndërsa Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, duke shprehur besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në Bashkimin Evropian, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend për këtë proces.