Vlashaj: Të ndërtojmë etapë të re për vërtetësinë dhe drejtësinë
Tiranë- Zoti Edmond Vlashaj, kryetar i Partisë Lëvizja Shqipëria e Re (PLSHR) në bashkëbisedimin e përjavshëm në Fokusin Politik të Javës me gazetarin Artur Nura, trajtoi zhvillimet e kësaj jave të ngjeshur politike e cila si për sarkazëm ka nisur më 1 prill dhe që sipas Vlashaj përkon me rrejshmërinë politike të zhvillimeve të demokracisë shqiptare e cila ka nevojë për qasje të re.
Nuk mund të pretendojmë që shteti dhe administrata publike të ndryshojë në qasje dhe në shërbimin e përditshëm nëse më parë ne, qytetarët e këtij vendi, nuk fillojmë të mendojmë seriozisht për ndërtimin e një etape të re të historisë sonë kombëtare e njerëzore që lidhet me Vërtetësinë dhe Drejtësinë, tha Kryetari i PLSHR-së duke shtuar se partia e tij ka modelin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të kryeministrit Erdogan. Edmond Vlashaj saktësoi se për PLSHR, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe mbeten aleati numër Një i Shqipërisë dhe i gjithë Kombit Shqiptar si nga pikëpamja historike po ashtu edhe politike.
Ndërsa shtoi se, historia e Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës padyshim që janë dhe do mbeten frymëzim i PLSHR dhe i të gjithë shqiptarëve të cilët, sipas Vlashaj, kanë nevojë gjithashtu për modelin pozitiv të Turqisë me eksperiencën konkrete të këtyre 10 viteve të fundit me rezultate marramendëse. Z. Vlashaj duke komentuar ndryshimet e fundit të detyruara qeverisëse dhe folur konkretisht për Shëndetësinë iu referua deklaratave të ministrit të ri të Shëndetësisë z. Halim Kosova, i cili sipas tij është një personalitet i dashur për të gjithë dhe veçanërisht për qytetarët. Vlashaj shtoi se qëndrimet e PLSHR në raport me korrupsionin në këto institucione konfirmohen nga deklaratat e ministrit Halimi i cili premtoi se do fillojë punën e tij duke garantuar ilaçet për pacientët brenda spitaleve dhe jo jashtë tyre. Kryetari i PLSHR duke konkretizuar politikë-bërjen e këtij organizimi të ri politik shtoi se në sistemin arsimor shqiptar ka nevojë absolute për aplikimin e modelit amerikan dhe të themelimit të Bordeve të Prindërve të cilët duhet të marrin pjesë demokratikisht në vendim marrje për ndërtimin e stafeve pedagogjike, por veçanërisht të verifikimit të punës së tyre. Kjo, sipas Vlashaj, padyshim që do eliminonte deri në maksimum korrupsionin galopant në këtë instrument shumë të rëndësishëm të shtetit dhe Kombit dhe që do ndihmonte drejtpërsëdrejti në ndërtimin e një Shqipëria të Re dhe të begatë sipas modelit të PLSHR me plot Solidaritet.
Ndërsa duke iu referuar përzgjedhjes të politikës preferenciale të PLSHR në raport me Turqinë, Vlashaj tha se Shqipëria sot ngjan shumë me Turqinë e para dhjetë viteve kur në pushtet atje erdhi Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e kryeministrit Erdogan.
Turqia e atyre viteve ishte e ngjashme me Shqipërinë sot, si për ekonominë e varfër, për korrupsionin, funksionimin e institucioneve dhe veçanërisht respektin ndaj qytetarit të thjeshtë, tek forca e të cilëve e gjeti dhe mbështetjen kryesore PDZH dhe bëri të mundur që Turqia nga një vend me borxhe të mëdha financiare, të bëhet sot në një shtet i cili ndihmon me hua financiare institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare, tha kryetari i PLSHR duke konkluduar se Shqipëria ka shumë ç’të mësojë nga kjo histori suksesi e një Kombi tjetër me shumë ngjashmëri me Kombin shqiptar, me të cilin ka traditë dhe histori të ngjashme.