Gazetarët: Standarde të reja për lirinë e shtypit
Gazetarët shqiptarë bëjnë thirrje publike për standarde të reja në lirinë e shtypit. 135 gazetarë kanë firmosur thirrjen publike dhe shprehin angazhimin për të rritur presionin mbi qeverinë, Parlamentin dhe opinionin publik. "Ne gazetarët shqiptarë, të shqetësuar nga përkeqësimi në rritje i klimës për lirinë e shtypit në vendin tonë, të alarmuar nga thirrjet publike të përfaqësuesve të shumicës në pushtet pro dhunës ndaj medias, të shokuar nga thirrje të pronarëve të mediave pro qeveritare për dhunim të gazetarëve, të indinjuar nga indiferenca e policisë në mosarrestimin e dhunuesve të gazetarit Mero Baze, dhe të ndier të injoruar nga qeveria shqiptare në përpjekjet tona për të shkuar drejt të vërtetave me interes publik, bashkohemi në këtë thirrje publike që synon nisjen e një aksioni të përbashkët për të vendosur standarde të reja për lirinë e shtypit në Shqipëri", deklarohet në thirrjen e tyre. Më tej, në thirrje shpjegohet se gazetarët shqiptarë po ndeshen përditë me një regjim politiko-mediatik, ku mbizotëron përpjekja për të mbajtur nën kontroll me të gjitha mjetet fjalën e lirë dhe gazetarinë kritike e investigative. "Gazetarët shqiptarë janë ndeshur gjatë kohëve të fundit me dhunë fizike, me presione për ndryshim të politikës editoriale përmes paralajmërimeve apo dorëheqjeve të detyruara të gazetarëve të njohur, me qëndrime selektive të qeverisë në orientimin e tregut të reklamave për operatorët televizivë dhe shtypin e shkruar, dhe me një inkurajim të dukshëm të shumicës në pushtet për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve kritikë apo dhe dhunën fizike ndaj tyre. Ne kërkojmë sa më shpejt të jetë e mundur të fillojë procesi i hartimit të një ligji perëndimor për shtypin, sipas gjithë standardeve të Bashkimit Europian, ku të garantohet statusi i gazetarit dhe t‘i garantohet atij e drejta për informim dhe akses të pakushtëzuar në informacionin zyrtar. Në kushtet e një shoqërie me probleme të forta të lidhjes së politikës me krimin dhe nivelit të lartë të korrupsionin, ne inkurajojmë një ligj i cili në rastet e ballafaqimit të gazetarëve me personat e prekur, të kalojë barrën e provës tek organet e hetimit, të cilat duhet të provojnë përmes mekanizmave të hetimit të vërtetë mbi problemet e ngritura nga media", deklarojnë gazetarët. Më tej, në letër citohet se ne gazetarët shqiptarë angazhohemi se do të vazhdojmë të luftojmë për një cilësi të re të shtypit në Shqipëri dhe lirisë së fjalës, e cila po vihet në rrezik nga këta hapa të dukshëm mbrapa që po bën liria e shtypit në këtë vend. Gjithashtu, kërkohet mbështetja e organizmave ndërkombëtarë si Bashkimi Europian, OSBE, Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe institucioneve prestigjioze ndërkombëtare për lirinë e medias si "Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve", "Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve", organizatës "Reporterë pa kufij", për të na mbështetur dhe ndihmuar në përpjekjet tona për mbrojtjen e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe arritjen e standardeve perëndimore. Ne mbetemi të vendosur deri në fund të betejës", deklarohet në thirrje.