E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dita e sotme shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare

- Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan sot letrën e mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6-të dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në.


- Ann Margaret Westin: Gjatë këtij programi, Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim.


Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan sot letrën e mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6-të dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në. Dokumenti u firmos në Kryeministri, nga Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Financave Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN-së në Shqipëri Ann Margaret Westin. Ky dokument do të miratohet nga bordi i FMN-së në Uashington në fund të janarit, kur përmbyllet programi 3-vjeçar i Shqipërisë me FMN-në.


Pas nënshkrimit të dokumentit, Kryeministri Berisha u shpreh se dita e sotme shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare.


“Dita e sotme – tha Kryeministri - shënon fundin tranzicionit të ekonomisë shqiptare. Sot u firmos fundi i tranzicionit të një prej ekonomive më të centralizuara në Europë dhe në botë dhe tani ajo ecën me institucionet e maturuara të saj. Për një vend demokratik nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa një ekonomi solide tregu, pa të cilën ajo nuk mund të ekzistojë.”


Kryeministri Berisha e vlerësoi nënshkrimin e këtij dokumenti një moment të veçantë që mbyll me sukses një program për të nisur një bashkëpunim të ri me FMN-në.


“Ky është një rast për t’i shprehur falënderimet e mia më të sinqerta FMN-së, e cili nisi punën në Shqipëri në një periudhë kolapsi total ekonomik e financiar me një inflacion 3 shifror, një deficit buxhetor 49 për qind, me një rënie dramatike të ekonomisë shqiptare. Gjatë këtyre viteve. FMN-ja është provuar një partner i shkëlqyer që ka ndihmuar qeveritë shqiptare në hartimin e politikave fiskale e monetare që kanë garantuar stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e shëndetshme ekonomike të vendit. Në këtë kontekst kjo është një mbyllje fatlume dhe krenare, sepse ky program mbyllet në një kohë kur Shqipëria ka një stabilitet të shkëlqyer makroekonomik, mbyll vitin me inflacion rreth 2.2 për qind, me një rritje ekonomike të pakrahasueshme në rajon dhe më të lartat në Europë, me një ekonomike të gjallë e dinamike,” u shpreh Kryeministri Berisha.


Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar me të njëjtin seriozitet me FMN-në edhe në këtë stad të ri të bashkëpunimit.


“Unë shoh me shumë kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit me FMN-në, duke e garantuar se në këtë stad të ri bashkëpunimi që hyn qeveria shqiptare ne jemi të vendosur të ndjekim me seriozitetin më të madh projektimet e FMN-së. Dy ditë më parë ne miratuan buxhetin afatmesëm duke mishëruar aty të gjitha parimet e domosdoshme për garantimin e stabilitetit ekonomik, rritjes ekonomike, në një kohë kur vendet e thera po rrisin deficitet buxhetore ne po i ngushtojmë dhe jemi të vendosur ta ngushtojmë.”


Me këtë rast, Kryeministri Berisha shprehu falënderimet për ndihmën shumë të çmuar të FMN-së në konsolidimin e praktikave më të mira në institucionet, duke qenë dhe një promotor në inkurajimin e qeverisë shqiptare drejt privatizimeve të mëdha.


“Dua të falënderoj zonjën Ann Margaret Westin për përfundimin e shkëlqyer të programit, të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë ekipin. Kanë qenë tre vite realisht të suksesshëm, tre vite debati intensiv, por edhe mirëkuptimi të madh.”


Zonja Ann Margaret Westin, përfaqësueses së Misionit të FMN-së në Tiranë u shpreh se tashmë Shqipëria i është bashkuar vendeve në zhvillim, duke siguruar për vazhdimin e mëtejshëm të mbështetjes.  


“Gjatë këtij programi, Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim. Shqipëria që në fillim i është bashkuar programit të FMN-së dhe programi i fundit ishte i 6-i. Gjatë këtyre programeve, ne jemi fokusuar në çështje themelore që kanë të bëjnë me stabilitetin makroekonomik, si dhe në reforma kyçe që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Këto programe kanë të bëjnë me administratën e taksave, menaxhimin, mbikëqyrjen e bankave, statistikat dhe privatizimin e sektorëve. Pavarësisht se sot mbyllim programin, ne do ta mbështesim Shqipërinë nëpërmjet konsultimeve apo programeve të asistencës,” u shpreh znj. Westin.


Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi se progresi i arritur gjatë zbatimit të marrëveshjes së fundit 3 vjeçare me FMN-në mundësoi kalimin në këtë nivel të ri më të lartë të marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.


“Marrëveshja e fundit 3 vjeçare, përfundimi me sukses i objektiva të saj, rritja e nivelit të maturitetit e institucioneve të shtetit shqiptar për të menaxhuar financat publike, zhvillimi i reformave ristrukturore në shkallë të gjerë e bindën FMN-në për të graduar Shqipërinë, për të kaluar nga faza e mbikëqyrjes në kuadrin e programit për zbutjen e varfërisë dhe nxitjen ekonomike, në një program të ri, i cili nënkupton artikullin 4 të FMN-së. Shqipëria kalon nga mbikëqyrja e drejtpërdrejt dhe e hapur, në një mbikëqyrje të dy-tre parametrave kryesorë makroekonomikë,” u shpreh Bode.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani vlerësoi si arritje të rëndësishme në këtë bashkëpunim të ngushtë me FMN-në në Shqipëri ndërtimin e strukturës dhe infrastrukturës së nevojshme për një shtet demokratik, duke veçuar krijimin e Bankës së Shqipërisë, të sistemit të kursit të këmbimit etj..


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›