Librat shkollorë, MASH shpall paketën Altertekst 2012
Jashtë konkurrimit shtëpitë që kanë shkelur vjet kontratën me MASH
Ministria e Arsimit shpall kërkesën për tekste për vitin shkollor 2012-2013. Ftohen të gjitha shtëpitë botuese vendase ose të huaja, distributorë të tyre, të paraqesin variantet e tyre të teksteve për miratim dhe më pas të marrin pjesë në tregun konkurrues.
Sipas kushteve të caktuara nga MASH, çdo shtëpi botuese/distributor ka të drejtë të marrë pjesë në konkurrimin për tekstet shkollore, nëse e ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërkaq, nuk pranohet pjesëmarrja në konkurrim e shtëpive botuese/distributorëve, që kanë shkelur kushtet e kontratës së vitit paraardhës të nënshkruar midis tyre dhe MASH. Në paketën informuese Altertekst 2012, thuhet se MASH-i bashkëpunon me ato shtëpi botuese që japin garanci për realizimin e kontratave dhe që i kanë realizuar ato brenda afateve të përcaktuara një vit më parë. Miratimi i teksteve shkollore bëhet nga “Komisioni i Miratimit të Teksteve” (KMT) pranë MASH-it, i cili shpall kërkesën për tekste shkollore, standardet e miratimit të tyre, jep programet mësimore si dhe kryen gjithë procesin e vlerësimit dhe të miratimit. Edhe për vitin e ardhshëm mësimor përzgjedhja e librave që do të kenë në duar nxënësit do të bëhet nga mësuesit e shkollave. Në paketën Altertekst 2012 janë përcaktuar edhe kriteret e vlerësimit të teksteve shkollore në përmbajtje. Kështu, teksti kualifikohet në përmbajtje kur merr vlerësimin 80 deri në 100 pikë. Teksti nuk kualifikohet në përmbajtje nëse argumentohet plotësisht njëra nga deklaratat e mëposhtme: ka gabim shkencor të fushës që i përket; ka përkufizime të gabuara; ka gabime gjuhësore të theksuara; ka interpretime të gabuara të një çështje; ka një diferencë të theksuar ndërmjet ngarkesës mësimore të tekstit me moshën e nxënësit për të cilin është ky tekst; bie në kundërshtim me ligjet ekzistuese të barazisë së shtetasve; dominon në të fryma e urrejtjes dhe nxitja e armiqësisë ndaj popujve të tjerë; nuk respekton programin mësimor në masën mbi 5 % të tij; ka frymë të theksuar nacionaliste ose antipatriotike; ka pjesë që bien në kundërshtim me kodin e etikës dhe të moralit të shoqërisë në të cilën ai zbatohet; ka ilustrime krejtësisht të gabuara që nuk kanë lidhje me temën që trajtohet; në lëndën e historisë dhe gjeografisë paraqet harta të gabuara politike; në lëndën e gjuhë & letërsisë paraqet shkrime anonime të diskutueshme, pa vlera; ka problema, ushtrime, që nuk janë formuluar drejt; jep të dhëna të vjetra që nuk janë realiste sot; del jashtë specifikimeve teknike të paketës “Altertekst 2012“; metoda e gjuhëve të huaja nuk është e përshtatshme për klasën dhe nivelin e nxënësve për të cilin rekomandohet. Edhe për vitin e ardhshëm shkollor, shitja e librave do të bëhet në shkolla dy javë përpara fillimit mësimit dhe një javë pas këtij fillimi.
Kërkesat për tekste
Për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore për vitin shkollor 2012-2013 do të shpallet konkurrimi për:
a) Tekstet e klasës VI, VII, VIII, IX.
b) Metoda të huaja në trajtë linje të gjuhës së huaj Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Italisht dhe Spanjisht sipas standardit evropian nga klasa III-XII (mosha 9-18 vjeç), nga klasa VI-XII (mosha 12-18 vjeç), nga klasa X-XII (mosha 16-18 vjeç).
c) Tekste të tabelës “Specifikimet teknike të teksteve të kërkuara” për vitin shkollor 2012-2013.
d) Tekste të paketës të lëndëve Gjuhë &Letërsi 10, TIK 10.
e) Tekste të paketës të lëndëve Kimi 11, Fizikë 11, Biologji 11, Gjuhe&Letërsi 11, Histori 11.
f) Tekste të paketës të lëndëve Gjeografi 12, Teknologji 12, Ekonomi 12, Histori 12, Gjuhë&Letërsi 12, Shkenca 12 dhe Kimi, Fizikë, Biologji 12.