Vlerësimet paraprake të ndërkombëtarëve

“Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme, progresi është i prekshëm”
Shqipëria ia doli të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke shënuar kështu progres të prekshëm. Ky ishte vlerësimi i institucioneve ndërkombëtare, për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e ri të Shqipërisë. Përfaqësuesit e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve që u mbajtën të dielën e 28 qershorit në Shqipëri, e përbërë nga krerët e misioneve afatshkurtra dhe afatgjata të OSBE/ODIHR-it, të delegacionit të Këshillit të Evropës dhe të delegacionit të NATO-s, paraqitën dje bashkërisht gjatë një konference për shtyp në Tiranë një përmbledhje të gjetjeve të realizuara nga vëzhgimet e tyre në këto zgjedhje. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet e së dielës shënuan progres të qartë drejt standardeve të bashkësisë evropian-perëndimore, sidomos në hartimin e regjistrit kombëtar të votuesve dhe përdorimin e letërnjoftimeve elektronike, për herë të parë në një proces zgjedhor të zhvilluar në vend. Ata gjithashtu theksuan përmirësimet e arritura në infrastrukturën ligjore të përgatitjes dhe mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Vëzhguesit po ashtu deklaruan se ditën e zgjedhjeve mbizotëroi qetësia dhe paqja, një atmosferë e përmirësuar krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Nga ana tjetër, ata u shprehën se në procesin e votimit, megjithë përmirësimet e ndjeshme, u vërejtën mangësi teknike sa i takon disa procedurave dhe standardeve, siç ishin mungesa e përkohshme e bojës në disa qendra votimi, apo votimi i lejuar familjar përkundër thirrjeve dhe rekomandimeve kundër kësaj praktike jo të standardeve perëndimore. Përfaqësia e vëzhguesve po ashtu deklaroi se këto deklarime paraprake ishin ende të parakohshme, sa i takon faktit që një pjesë e rëndësishme e procedimit elektoral, numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve të zgjedhjeve, është në proces e sipër dhe ende nuk ka përfunduar. “Vendi është pjekur, ka bërë progres, dhe shumë prej frikërave që kishim vetëm disa muaj më parë”, u shpreh Volfgang Grosruku, zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe koordinator special i misionit të vëzhguesve afatshkurtër në këto zgjedhje, nuk u materializuan. “Jam i lumtur për progresin që vumë re”, vazhdoi më tej ai. Por, deklaroi Grosruk, janë ende një numër çështjesh që duhen trajtuar, sidomos klima e polarizuar politike. “Këto zgjedhje demonstruan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vendet e tjera evropiane”, deklaroi Korin Jonkeri, shefe e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që mori pjesë në këto vëzhgime. “Autoritetet dhe figurat kryesore politike kanë tani përgjegjësi të madhe për të punuar fort për të ngulitur tek qytetarët besimin për një proces zgjedhor demokratik”, shtoi ajo. “Raporti ynë shfaq si zhvillime pozitive, ashtu edhe negative në administrimin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Brus Xhorxhi, shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në këto zgjedhje. Sipas tij, “krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, është bërë progres, sidoqoftë duhen përpjekje edhe më të mëdha nga të gjitha forcat politike për të përmbushur kërkesat e standardeve ndërkombëtare”, tha më tej ai. Ligji i ri zgjedhor, “i arritur me marrëveshjen e të dyja partive kryesore politike, ndërfuti një numër përmirësimesh dhe masash mbrojtëse të rëndësishme, veçanërisht lidhur me regjistrimin e votuesve dhe identifikimin e tyre”, deklaroi ambasadorja Odri Glover, shefe e misionit të vëzhguesve afatgjatë të misionit të OSBE/ODIHR-it të zgjedhjeve në Shqipëri”. Përfaqësia e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve çmoi arritjet e bëra nga ana e institucioneve shqiptare drejt përmbushjes së standardeve perëndimore në këto zgjedhje të përgjithshme dhe bëri thirrje, nga ana tjetër, që të shtohet puna dhe vullneti i të gjitha palëve dhe institucioneve pjesëmarrëse në to për përmbylljen e procesit zgjedhor në një atmosferë demokratike e në frymën e kërkesave ndërkombëtare Aspektet pozitive të procesit zgjedhor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve administroi përgatitjet teknike të zgjedhjeve në mënyrë profesionale dhe përgjithësisht brenda afateve kohore ligjore. - Procesi i regjistrimit të kandidatëve të partive politike, si dhe regjistrimi i një kandidati të pavarur, u kryen në mënyrë gjithëpërfshirëse. - Zgjedhësve iu ofrua një gamë e gjerë këndvështrimesh në sajë të numrit të madh të transmetuesve të medias së shkruar, të cilat u dhanë partive politike hapësirë për të përcjellë mesazhin e tyre. - Për herë të parë, dispozita e reja ligjore përcaktojnë kuota për prezantimin e grave si kandidate dhe anëtare të komisioneve zgjedhore të nivelit të mesëm. - Funksionimi i KQZ-së në mënyrë të hapur, si edhe akreditimi i një numri të madh vëzhguesish vendorë, përfshirë vëzhguesit e partive, rriti nivelin e transparencës në këto zgjedhje.
Komisioneri Olli Rehn, i përmbajtur në lidhje me ecurinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri
“Jam vënë në dijeni për përparimet konkrete që ka bërë Shqipëria” Udhëheqja politike e Shqipërisë duhet të punojë më me forcë përtej kufijve partiakë që në të ardhmen të organizohen zgjedhje, që përmbushin në tërësi standardet ndërkombëtare Pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nuk vonuan edhe reagimet e para nga bashkësia ndërkombëtare. Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olli Rehn, deklaron se zgjedhjet në Shqipëri, treguan përparime konkrete në drejtim të përmbushjes së standardeve. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Rehn u shpreh se “u vura në dijeni mbi konkluzionet paraprake të OSBE/ODIHR-it, në të cilat nënvizohet se në disa fusha janë bërë përparime konkrete”. Pati përmirësime të lehta për sa i përket procesit të votimit, edhe pse u vunë re disa shkelje proçeduriale”, u shpreh ai. Komisioneri për zgjerim i BE-së, Olli Rehn, u shpreh i përmbajtur në lidhje me ecurinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Rehn shprehu akordin e tij me deklaratën e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, sipas së cilës vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve nuk mund të bëhet para numërimit të votave dhe para nxjerrjes së rezultateve. “Zgjedhjet nënvizojnë qartë nevojën që udhëheqja politike e Shqipërisë duhet të punojë më me forcë përtej kufijve partiakë që në të ardhmen të organizohen zgjedhje, të cilat do të përmbushin në tërësi standardet ndërkombëtare dhe të gëzojnë besimin e plotë të zgjedhësve shqiptarë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Olli Rehn. Kurse sipas ekipit vëzhgues i OSBE-ODHIR-it , i cili prezantoi në Tiranë raportin e parë paraprak për zhvillimin e zgjedhjeve të ditës së diel, zgjedhjet e 28 qershorit ishin në përgjithësi të qeta dhe të rregullta. Por ekipi vëzhgues i OSBE-ODHIR-it evidentoi dhe një sërë parregullsish. Në emër të të gjithë vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it nga rreth 450 vëzhgues të huaj të cilët kanë qenë në terren gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme, Wolfgang Großruck që ishte edhe në rolin e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare, i konsideroi zgjedhjet e ditës së diel si një hap pozitiv. Si elementë me probleme gjatë procesit të votimit ai përmendi mungesën e bojës së sigurisë, votimin familjar apo hapja me vonesë e disa qendrave votimi. Megjithatë Großruck i përshëndeti zgjedhjet dhe vuri në dukje se votimet e ditës së diel në përgjithësi kishin qenë pozitive. Drejtuesja e vëzhguesve afatgjatë të OSBE ODIHR-it, ambasadorja Audri Glover, theksoi se kodi i ri elektoral i miratuar me konsensusin e të dyja partive kryesore, PD e PS, kishte sjellë një sërë përmirësimesh e garancish të rëndësishme, veçanërisht përsa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Gjithsesi sipas saj ishte për të ardhur keq që “niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit nuk rritën besimin e publikut në procesin zgjedhor”.
SHBA vlerëson procesin e zgjedhjeve në Shqipëri: U arritën standardet, shqiptarët treguan maturi dhe meritojnë urimet më të mira për të ardhmen
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Tiranë, Xhon Withers, përshëndeti mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend TIRANE - Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri u zhvilluan nën frymën e qetë dhe paqësore, duke arritur standardet, tepër të rëndësishme për të ardhmen e vendit. I tillë është vlerësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri. Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Withers deklaroi se zgjedhjet u zhvilluan të rregullta dhe përgëzoi popullin shqiptar për maturinë e treguar në këto zgjedhje. “Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të përgëzuar popullin shqiptar për zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe të ofroj vlerësimin për zgjedhjet që, në përgjithësi, ishin të mirë-administruara dhe të qeta. Tani presim përfundimin e numërimit të votave si dhe zyrtarizimin e rezultateve në një mënyrë po kaq të rregullt”, u shpreh Withers. Ai deklaroi se Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ka prodhuar një raport paraprak të mirëmenduar dhe objektiv që i karakterizon këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por që edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësi që mbeten në proces. “Jam në një mendje me këto gjetje dhe nxis autoritetet shqiptare të ndërtojnë mbi suksesin e djeshëm për të përmbushur standarde më të larta dhe më kërkuese ndërkombëtare në votime të ardhshme. Përsëris që përgëzoj popullin shqiptar për pjesëmarrjen e lartë dje dhe ofroj urimet e mia më të mira për të ardhmen”, deklaroi më tej ambasadori i SHBA-ve, Withers.
...