E Diel, 1 Nëntor 2026

Femrat që janë më të rrezikuara nga tumori i gjirit



Femrat, të cilat nuk kanë lindur, ose kanë pak lindje janë të favorizuara në paraqitjen e tumorit të gjirit. Sipas mjekëve, kjo sëmundje më e shpeshtë është te ato gra, tek të cilat menopauza (menstruacioni i fundit) është e vonshme. Gratë, të cilat kanë gjakderdhje të rregullta menstruale deri pas moshës 55 vjeçare, sëmuren nga karcinomi i gjirit 2 herë më shpesh se te ato, të cilat menstruacionet u pushojnë para moshës 45 vjeçe. Mënyra e ushqimit, sidomos ai i pasur me yndyra, dhe gratë me peshë të shtuar (majme), sëmuren më shpesh nga karcinomi i gjirit se femrat me peshë normale. Edhe femrat, të cilat ngelin shtatzënë për herë të parë pas moshës 30 vjeçare, më shumë mund të paraqitet kjo sëmundje se te ato që nuk kanë lindur dhe ky rrezik vjen duke u rritur sa më në moshë të shtyrë të jetë shtatzënia e pare. Disa studime flasin se edhe abortet e shpeshta rrisin rrezikun e paraqitjes së kësaj sëmundjeje. Të rrezikuara janë edhe ato femra që fillojnë të pinë duhan herët, si dhe ato, të cilat pinë më shumë se një paketë brenda ditës. Incidenca e paraqitjes së karcinomit të gjirit është 2-3 herë më e shpeshtë te gratë të cilat në familje (gjyshja, nëna, motra) kanë pasur të sëmurë me karcinom të gjirit, në krahasim me ato gra, të cilat në anamnezën familjare nuk kanë pasur të sëmurë me këtë sëmundje.
Sëmundja
Tumori i gjirit është sëmundja më e përhapur te femrat, ku në të gjithë botën shënohen miliona raste vdekjeje. Studiuesit thonë se shkaktarët që çojnë në krijimin e tumoreve kanë origjinë të ndryshme. Por, e veçanta e sëmundjes është se nëse kapet në fazat e para, pacientet kanë mundësi më të mëdha për të jetuar. Ndërkohë që kurat që përcaktojnë mjekët janë intensive dhe të shtrenjta. Faktori më i rëndësishëm i rrezikut për karcinomën e gjirit është mosha. Në fakt, rreziku për tu sëmurur shtohet me kalimin e viteve. Përveç kësaj, në disa raste të tjera rreziku shtohet edhe nga faktorë të tjerë që janë: trashëgimia familjare për tumoret e gjirit dhe të vezores; kur nuk ka asnjë shtatzëni (ose shtatzënia e parë pas 35 vjetësh); mbipesha pas menopauzës. Ndërsa vihet re që aktiviteti fizik ka një rol të favorshëm, nuk është akoma e qartë nëse ekziston ndonjë dietë që mund të reduktojë rrezikun për tumoret e gjirit. Gjithsesi këshillohet një konsum sa më i madh i frutave të freskëta dhe i perimeve.
Përhapja
Një femër, ndër pesë gra preket nga një tumor i gjinjve, prej të cilëve 2/3 e rasteve janë beninje. Duhet të mjekohen patjetër nëse diagnostifikohet ndonjë formë e tyre si formacionet cistike, ato duhet të operohen, pasi në të kundërtën mund të kalojnë në tumor malinjë. Nga të gjitha sëmundjet malinje te femrat, së bashku me karcinomin e qafës së mitrës karcinomi i gjinjve është ndër më të shpeshtit. Gjatë jetës, 2-3 për qind të grave sëmuren nga karcinomi i gjirit. Nga të gjitha sëmundjet malinje 20-25 për qind të tyre i takon karcinomës së gjirit, ndërsa nga numri i vdekjeve nga sëmundjet malinje deri në 20 për qind të grave vdesin nga karcinomi i gjirit. Kjo sëmundje sot falë mundësive diagnostikuese, disiplinës dhe edukatës shëndetësore të vetë grave mund të zbulohet shumë herët. Nga karcinomi i gjirit femra mund të sëmuret nga rinia e hershme e deri në fund të jetës së saj. Mosha më e shpeshtë kur sëmuren femrat është nga mosha 40 deri në moshën 75 vjeçare. Sëmurën edhe meshkujt, por sëmundja te burrat është mjaft e rrallë. Marrëdhëniet e paraqitjes së karcinomit të gjirit të burrat dhe gratë është 99:1 në favor të grave.
Shenjat
Faza e fillimit të paraqitjes së karcinomit të gjirit nuk ka ndonjë shenjë karakteristike. Shpesh ndodh që gruaja vetë të zbulojë, prek disa ndryshime në gjinj në formë të formacioneve të forta nyjesh. Këto zbulohen zakonisht gjatë larjes së trupit. Mirëpo janë bërë studime edhe te popujt më të ngritur në kuptim të edukatës shëndetësore, dhe se nga koha e prekjes së këtyre ndryshimeve e deri te paraqitja te mjeku së paku kalon 7-12 muaj. Sigurisht te populli ynë kjo është edhe më e vonuar për shkak të edukimit shëndetësor të pamjaftuar. Në fillim këto nyje, të cilat preken janë të veçuara dhe të lira por me kalimin e kohës këto bashkohen me indin për rreth dhe më nuk janë të lira. Në disa raste hasen ndryshime në thitha (ato futen brenda) ose paraqitet skuqje apo trashje e lëkurës së gjirit. Në disa raste paraqitet rrjedhje e lëngut të përzier me gjak nga gjiri. Në fillim procesi i karcinomit të gjirit përhapet në tërë gjirin në drejtim të kraharorit dhe lëkurës ashtu që lëkura e gjirit merr një dukje si lëvorja e portokallit. Sëmundja mund të përhapet edhe me anë të gjakut në organe tjera si: vezore deri në 30 për qind të rasteve, unaza të boshtit kurrizor, mushkëri, mëlçi, tru, etj.
Terapia
Studimet e bëra në të gjithë botën vitet e fundit, kanë lejuar të qartësohet më mirë roli i terapisë hormonale zëvendësuese (domethënë, të atyre ilaçeve hormonale të përdorura nga shumë gra pas menopauzës për të lehtësuar shenjat dhe për të zvogëluar komplikimet e lidhura me këtë fazë të veçantë të jetës). Hormonet, sidomos terapia e kombinuar estro-progestinica, mund të influencojnë në rritjen e rrezikut. Prandaj ndjekja e terapisë me hormone duhet të jetë e justifikuar dhe e kontrolluar. Kur flitet për “parandalim” për një sëmundje si karcinoma e gjirit, duhet gjithmonë të dallohen dy strategji të sakta e gjithsesi të ndërlidhura ndaj tyre. Njëra është parandalimi parësor që ka lidhje me zbulimin e faktorëve të rrezikut dhe marrja e masave për të reduktuar rrezikun që deri më sot është e vështirë të aplikohet. Tjetra është parandalimi dytësor që është diagnoza e parakohshme ose më mirë paradhënia diagnostike. Do të thotë të zbulohet tumori në fazat e tij fillestare, kur nuk është akoma klinikisht i vlerësuar (me anë të mamografisë dhe ekografisë) dhe pothuajse në të gjitha rastet komplet i shërueshëm. Një sektor i ri është parandalimi me ilaçe. Me këtë term ndikohet tentativa për të parandaluar shfaqjen e tumoreve nëpërmjet marrjes së substancave që përmbajnë elemente natyrale ose sintetik, të aftë në reduktimin e rrezikut për zhvillimin e sëmundjes. Kjo ka filluar që në vitet ’90 dhe rezultatet e para dëshmojnë që, parandalimi me ilaçe vepron me efikasitet në reduktimin e mundësisë së shfaqjes së tumorit të gjirit. Njëkohësisht, është e mundur të eliminohen apo të reduktohen efektet penguese të lidhura me marrjen e ilaçeve mbrojtëse.

Shenjat për të dyshuar një tumor të gjirit
Në shumicën e rasteve, në ditët e sotme, tumori i gjirit i prezantohet gruas apo mjekut si një nyjëz e fortë gjatë palpimit (prekjes). Çdo nyjëz që shfaqet pas mbushjes së 30 vjetëve, duhet konsideruar i denjë për thellime diagnostike. Gjithmonë e më shpesh është radiologu, që gjatë një mamografie apo
Ekografie, e kryer për diagnostikim të parakohshëm, të shohë një tumor që nuk ndihet gjatë palpimit. Janë rastet e vërteta të sapofilluara që kurohen pothuajse 90%. Disa shenja të tjera të rralla që duhen konsideruar janë: mbledhja e lëkurës, skuqje të lokalizuara apo të përhapura, mbledhje apo ndryshim i thumbit të gjirit, sekrecion gjaku apo sierre e bollshme e thumbit të gjirit, zmadhim i dimensioneve të një nyje nën sqetull. Zakonisht, një tumor që sapo ka filluar nuk jep dhimbje. Çfarëdolloj ndryshimi të pamjes normale apo ndjeshmëri të gjirit
është e nevojshme të përballoni në kohen e duhur problemin, duke iu drejtuar mjekut të familjes. Njëkohësisht, duhet të kontrolloni gjirin nga një specialist, duke diskutuar me të dhe të ndiqni këshillat. Po kështu, të dëgjoni një opinion tjetër, nëse nuk keni ngelur të kënaqur nga i pari.

Femrat më të mbrojtura nga tumori i gjirit
Rrezik më të vogël të paraqitjes së karcinomit së gjirit kanë ato femra të cilave u janë larguar vezoret para moshës 40 vjeçare
Rrezik më të vogël nga paraqitja e karcinomit të gjirit te femrat janë edhe menstruacionet e rralla për shkak të shtatzënive, dhënies gji një kohë të gjatë si dhe te ato femra, të cilat ngelin pa menstruacione herët
Edhe shtatzënitë e shpeshta e zvogëlojnë rrezikun nga paraqitja e karcinomit të gjirit te femrat
Ka edhe disa të dhëna se shtatzënia para moshës 25 vjeçe e zvogëlon mundësinë e paraqitjes së karcinomit të gjirit Gratë, të cilat kanë lindur para moshës 18 vjeçare kanë vetëm 1/3 e rrezikut për t’u prekur nga kjo sëmundje, në krahasim me gratë, të cilat për herë të parë kanë lindur pas moshës 35 vjeçare

30 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›