Presidenti çek Vaclav Klaus do të vizitojë Shqipërinë në gjysmën e dytë të këtij viti
“Sali Berisha, lideri që e shndërroi Shqipërinë në një vend që ka korrur kaq shumë suksese”
Presidenti çek shprehu bindjen se, me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare, Shqipëria do të arrijë ta realizojë integrimin në BE në një kohë shumë të shkurtër.
Në vazhdim të vizitës së tij në Pragë, Kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë, në Kështjellën e Pragës, nga Presidenti i Republikës çeke Václav Klaus. Presidenti çek i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se ndihej i lumtur të priste në selinë e tij një mik të Shqipërisë, veçanërisht një mik personal të tij prej shumë vitesh, si dhe liderin që e shndërroi Shqipërinë në një vend që ka korrur kaq shumë suksese. Referuar arsyes së vizitës së Kryeministrit Berisha në Çeki, Presidenti çek vlerësoi dorëzimin nga ana e Kryeministrit Berisha të kërkesës së Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE.
Duke iu referuar eksperiencës së vendit të tij, deri në anëtarësimin e plotë në BE, Presidenti çek u shpreh se Çekisë iu deshën rreth 5 vjet për të arritur në anëtarësimin e plotë të vendit në BE, por sot kushtet janë të tjera. Në këtë kontekst, ai shprehu bindjen se, me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare, Shqipëria do të arrijë ta realizojë këtë proces në një kohë shumë të shkurtër.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin Václav Klaus për mikpritjen dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve në proceset integruese të saj. Kryeministri Berisha tha gjatë bisedimeve me Presidentin çek se ndihej i lumtur që dorëzimi i aplikimit të Shqipërisë për në BE bëhet në kryeqytetin e Çekisë, në Pragë, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit si një proces të pandalshëm dhe të bazuar në meritë të plotë. Kryeministri Berisha e vlerësoi aktin e dorëzimit të aplikimit të Shqipërisë si vend kandidat në BE, si një shtysë të mëtejshme që do t’i shërbejë qeverisë për të vazhduar në rrugën e reformave të ndërmarra në të gjitha fushat.
Presidenti i Republikës çeke Václav Klaus, u shpreh se “për Shqipërinë dita e sotme është një moment historik”. Duke e konsideruar këtë moment sit ë volitshëm, Presidenti çek vlerësoi lart maturinë e qeverisë shqiptare në këtë proces, duke theksuar se ajo priti të përfundonte procesi i nënshkrimit të MSA-së nga 27 vendet e BE-së, si një njohje e plotë e bërë prej tyre për suksesin e reformave të mëdha në Shqipëri. Veç temës parësore, asaj të dorëzimit nga Kryeministri Berisha të kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE, biseda mes dy personaliteteve u ndal edhe në çështjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke ndarë të njëjtin mendim për inkurajimin e investimeve me interes të përbashkët në të dy vendet. Presidenti çek u shpreh se do të kontribuonte në nxitjen e investitorëve çekë për të ardhur në Shqipëri, në mënyrë që niveli i investimeve dypalëshe të njihte rritje të dukshme. Në përfundim të këtij takimi, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin çek Klaus për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi dhe tha se do ta vizitonte vendin tonë në gjysmën e dytë të këtij viti.
...