E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, deri dje aplikuan 700 mijë qytetarë. Flet Armand Teliti

“Me këto ritme qytetarët pa pasaportë pajisen me karta para zgjedhjeve

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi dje se pavarësisht pretendimeve të opozitës, procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime po ecën me ritme të larta. Sipas Telitit vetëm dje në të gjithë vendin kanë aplikuar 17.700 qytetarë për kartat e identitetit. “Aktualisht procesi i letërnjoftimeve po ecën shumë mirë dhe mund t'u jap një shifër rekord të ditës së djeshme, ku në të gjithë Shqipërinë kanë aplikuar më shumë se 17.700 qytetarë shqiptarë për këtë dokument. Shpresojmë që dhe me rezultatin e ditës së sotme do të arrijmë në nivelin e 700 mijë qytetarëve që kanë aplikuar në të gjithë vendin dhe që konsiderohet një shifër shumë e mirë”, theksoi ai. Për kreun e DPGJC-së, fluksi ditor prej 17 mijë aplikimesh është shumë entuziast, sepse plotëson të gjitha nevojat që për një kohë të shkurtër dhe para limitit të zgjedhjeve, të gjithë qytetarët që kanë dëshirë dhe nevojë për të aplikuar të pajisen më kartën e re të identitetit. 

Ndërkaq Teliti konfirmoi gjithashtu dhe prioritetin që i ka dhënë qeveria personave pa pasaportë, të cilët do të jenë të favorizuar edhe pas datës 1 Maj. Në mbarë vendin janë rreth 729 mijë shtetas pa pasaportë. Deri me tani kanë aplikuar më shumë se gjysma e kësaj kategorie. Autoritetet konfirmojnë gjithashtu, se me këto ritme, ku në zyrat aplikimit punohet edhe gjatë ditëve të pushimit, procesi do të përfundojë brenda afateve.

Miratohet ligji i ri për gjendjen civile    

Komisioni parlamentar i ligjeve ka miratuar dje projektligjin “Për Gjendjen Civile” pas sugjerimeve të bëra nga ekspertë të PD-së dhe PS-së. Për shkak të vendimit politik të bojkotit për çështjen e kartave, deputetët socialistë nuk morën pjesë në mbledhjen e djeshme të komisionit, ndërkohë që opozita u përfaqësua vetëm me deputetin e LSI-së, Spartak Braho. Drafti i propozuar nga Ministria e Brendshme synon krijimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile mbi bazën e të dhënave elektronike. Ai parashikon gjithashtu krijimin e Regjistrit Kombëtar të Adresave, me qëllim një kontroll të qartë territorial të vendit dhe banesave të qytetarëve. Nga 69 nene që përmban projekti,  vetëm tre prej tyre nuk ishin miratuar, pasi deputetët sugjeruan riformulimin për nenet 14, 43 dhe 66. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, duke dhënë shpjegime në komision për ndryshimet e paraqitura, tha se pas konsultimit me ekspertët e të dy palëve u konkludua që neni 14 për ‘vendbanimin’ të detajohet në dhjetë nene të veçanta për të arritur në një konkluzion të përbashkët. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›