E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësohet aplikimi i teknologjisë së informacionit

02/02/2010  Kryeministri Berisha takon drejtorin e ri të USAID në Tiranë
USAID mbështetës për forcimin e kapaciteteve në qeverisjen lokale
Drejtori i ri i USAID-it, Xhozef C. Uilliams, ka deklaruar se Shqipëria ka arritur rekorde në vendosjen e sistemeve elektronike, si dhe në shkallën me të cilën ka penetruar sistemi i teknologjisë së informacionit në administratën publike, por edhe në arsim. Kreu i agjencisë së ndihmave të Shteteve të Bashkuara, ka bërë këto konstatime gjatë takimit që ai pati ditën e djeshme me Kryeministrin Sali Berisha, në zyrën e këtij të fundit. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, kreu i Qeverisë priti në një takim të veçantë drejtorin e ri të USAID-it në Tiranë, Xhozef C. Uilliams, me rastin e emërimit të tij në këtë detyrë, i shoqëruar nga zëvendësambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Deborah Xhons. Kryeministri Berisha gjatë këtij takimi shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për kontributin e madh të USAID-it në Shqipëri dhe mbështetjen e dhënë në disa sektorë thelbësorë për vendin tonë, dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe konsolidohet më tej edhe me kreun e ri të Agjencisë. “USAID-i ka mbështetur fuqimisht reformat tona në ngritjen e një sistemi të qeverisjes elektronike, si taksave elektronike, prokurimeve, regjistrimit të bizneseve, një reformë kjo shumë efikase në rritjen e transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit”, mësohet të ketë deklaruar kreu i Qeverisë. Gjithashtu ai përmendi edhe mbështetjen që USAID-i ka dhënë për forcimin e kapaciteteve në qeverisjen lokale. Lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm, Berisha theksoi se në fokusin e Qeverisë mbetet lufta ndaj korrupsionit, në funksion të së cilës është ndërmarrë edhe reforma e moshës dixhitale. Për këtë kërkoi mbështetjen e USAID-it, si edhe në rritjen e partneritetit publik-privat. Gjithashtu Kryeministri tha se prioritet madhor mbetet reforma në shëndetësi, e cila do të zbatohet, pavarësisht kostos që do të ketë kjo reformë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›