E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia-Dinamo 1-0, blutë sherr për penalltinë



Falë penalltisë së akorduar nga gjyqtari Kridens Meta (protesta të shumta të Dinamos) e të shndërruar në gol nga një specialist i pagabueshëm nga pika e bardhë si Suad Lici (4 gola me penallti këtë sezon), Vllaznia arriti të koleksionojë tri pikë të arta e të ruajë kryesimin e Kategorisë Superiore, sërish me një pikë më shumë se Tirana. Blutë u paraqitën në “Loro Boriçi” me shtatë mungesa, por formacioni emergjent i drejtuar nga Shkëlqim Muça zhvilloi një lojë për t’u admiruar në një prej stadiumeve më popullorë në Shqipëri. Gjithsesi, përveç disa kontestimeve (të vazhdueshme) për gjykimin nga ana e bluve, Vllaznia dëshmoi se e ka stofin e një skuadre të denjë për titullin kampion e një rivale e madhe e Tiranës. Kjo ishte fitorja a parë sezonale në pesë takime të luajtura kundër Dinamos, madje e para në “Loro Boriçi”. Përsa i përket edhe bilancit historik, kjo ishte fitorja e 34-t e Vllaznisë në 127 përballje midis dy ekipeve (48 fitore Dinamo). Javën e ardhshme, Vllaznia do të luajë sërish në Shkodër kundër Lushnjës, ndërkohë që Dinamo do të luajë kryeqytet kundër Tiranës.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›