Salihi, “vrasësi” i Matersburgut
Në ka portë që Hamdi Salihi e njeh më mirë se këdo tjetër, është pikërisht ajo e Matersburgut në kampionatin austriak, 12 gola ndaj tyre në 16 takime. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është shndërruar në një “vrasës” të vërtetë ndaj kësaj skuadre. Shkodrani shënoi dy gola në fitoren e thellë 4-0 (të dytin e të katërtin, pikërisht në minutat 37-të e 60-të), duke kompletuar së bashku edhe Rodriguez (25’) e Dreksel (42’) “pokerin” triumfues të SV Ried. Ish-sulmuesi i Tiranës u ngjit kështu në kuotën e 11 golave gjatë këtij sezoni, një më pas se në kampionatin e kaluar (12), ndërsa në total përfshirë të tre sezonet me Ried shkoi në 29 gola në 73 ndeshje. Ky ishte dygolëshi i dytë gjatë këtij sezoni për Salihin përfshirë edhe atë kundër Austria Kartnen.
Bogu do gol para ministrave shqiptarë
Kievo është gati për betejën për të sfiduar Interin, për ta vendosur në vështirësi ekipin më të fortë të Italisë, ndërkohë që sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani kërkon dhe ai të jetë ai autori i golit të 300-të veronezëve në Serinë A. Gazeta më e madhe sportive italiane “Gazzetta dello sport” bëri publik edhe një detaj interesant nga shtëpia e Kievos. Çdo lojtar ka të drejtë të marrë tre bileta të zonës “Vip”, ndërkohë që Bogdani u është lutur drejtuesve të klubit për të pasur tetë të tilla, pasi sipas gazetës italiane, për të parë në aksion “Er-Bomberin” në ndeshjen kundër Interit do të jenë edhe disa ministra të qeverisë shqiptare. Sulmuesi shqiptar, duke folur edhe për gazetën e njohur italiane “Repubblica” në lidhjen me ndeshjen në “Bentegodi” nuk e konsideron si një “mision të pamundur”. “Do të jetë një ditë e emocioneve të mëdha. Kievo, për shumë njerëz, tre muaj më parë ishte ndoshta e rënë nga kategoria, - thotë Bogdani. – Më pas, përkunderazi, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Dëshmuam se mund të befasonim këdo. Kjo ndeshje vjen në një moment të lumtur: të gjithë vrapojnë, skuadra është mirë, e dimë se duke zgjatur hapin mund të arrijmë qëllimin tonë”. Kundër Kievos do të mungojë Ibrahimoviçi. Bogdani tregon respekt: “Vlerat e Interit i tregon fusha, e nuk më duket se i mungojnë kampionët. Besoj se ndeshja do të jetë një ditë me emocione të mëdha për të gjithë. Gjatë gjithë javës jemi përgatitur me skema të mëdha për sfidën kundër Interit. Duhet të jemi të kujdesshëm, që të shfrytëzojmë çdo pakujdesi e humbje vëmendje të tyre”. Interi kryeson kampionatin italian me 77 pikë, 7 pikë më shumë së Milani i vendit të dytë, që do të luajë nga ana e tij një superduel në “San Siro” më Juventusin e vendit të tretë (66 pikë). Kievo me 35 pikë renditet në vendin e 16-të nga 20 skuadra që ka kampionati italian.
Murinjo: “Nuk i zë besë Berluskonit”
Hoze Murinjo i beson pak komplimenteve të Silvio Berlsukonit, që e përcaktoi Interin “skuadra më e fortë e kampionatit dhe që e meriton titullin”. Interi do të luajë kundër Kievos dhe një fitore e zikaltërve e një humbje e Milanit kundër Juventusit do t’i garantonte titullin e radhës klubit të presidentit të Silvio Moratit. “Pas ndeshjes kundër Kievos, puna ime ka pëerfunduar, nëse fitojmë, do të mendoj se na duhen edhe tri pikë. Nuk e di nëse lojtarët e mi do ta shohin Milan-Juventus, unë për veten time jo, do të shkoj të fle dhe vetëm të hënën në mëngjes do të njoh rezultatin. Të bëj tifo për Juventusin? Jo, jo , do të ishte plotësisht diçka e gabuar. Berluskoni? Nëse pas ndeshjeve të së dielës diferenca midis Interit e Milanit do të jetë, atëherë mendoj se të hënën do të ndryshojë argumentet. Politikanët janë të zotë për të ndyshyar argumentet, - shtoi Murinjo. “Mua më pëlqen paqja, më pëlqejnë më shumë fjalët që transmetojnë qetësi, por nuk u besoj shumë atyre që ngrenë para kohe flamurin e bardhë”. Trajneri i Interit flet edhe për merkaton. Drogba apo Milito, kë preferon Murinjo nga të dy? “Nuk e njoh Militon dhe jam mik me Drogbanë. Nuk kam kaluar në asnjë çast një jetë të përbashkët me Diegon, ndërkohë që me Didië kam punuar me të tre vjet e gjysmë te Çelsi”.
11 Maj 2009