E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Dinamo dhe Tirana-Besa ndajnë nga një pikë pas barazimeve 0-0 Për të mëdhenjtë ka vetëm paqe

Mes të mëdhenjve ka vetëm paqe. Dy supersfidat kryesore mes katër ekipeve të profilizuara si pretendentet kryesore për të fituar titullin në këtë sezon, Vllaznia-Dinamo dhe Tirana-Besa, janë mbyllur në barazim, një rezultat i cili ka favorizuar edhe skuadrat udhëtuese, që kanë mundur kështu të ruajnë kreun e renditjes.

Vllaznia kishte një shans të artë për bërë kthesën e madhe pas atij fillimi zhgënjyes në tri javët e para të sezonit. Përballë kishte Dinamon kryesues. Një fitore kundër bluve jo vetëm që do t‘i afronte shkodranët me kreun, por edhe do të ndihmonte në ngritjen e moralit të ekipit. Megjithatë, dihej që më parë se nuk do të ishte e lehtë, pasi përballë kishin një kundërshtar, i cili në këto tri ndeshje të para kishte demonstruar se zotëron arsenalin e mjaftueshëm për të merituar etiketimin favorit për titull. Takimi ka qenë i ndezur dhe i mbushur me shumë raste për shënim në të dyja portat. Kanë qenë shkodranët ata që e kanë dominuar pjesën e parë dhe i janë afruar golin me anë të kapitenit Vioresin Sinani, por edhe me një gjuajtje të Beqirit nga jashtë zonës. Dinamovitët kanë vuajtur presionin e vendasve dhe kanë qenë të detyruar të mbrohen. Shkodranët kanë demonstruar një epërsi të lehtë edhe në 45 minutat e dyta, ku mund të kishin gjetur golin me pak nëse gjuajtja e Shtubinës nuk do të ndalej nga traversa. Edhe Dinamo ka pasur rastet e saj, por në fund barazimi i ka vënë kapakun kësaj sfide. Në kryeqytet, Tirana është përballur me Besën, po edhe ky takimi nuk ka shkuar më tej se një 0-0, edhe pse rastet nuk kanë munguar për të dyja skuadrat. Kavajasit kanë vënë disa herë në vështirësi bardheblutë, gjithsesi edhe barazimi i kënaq ata.

Më herët u luajtën pjesa më e madhe e ndeshjeve të javës së katërt të kampionatit kombëtar të futbollit, për Kategorinë Superiore. Këto përballje kanë regjistruar fitoret e para të dy skuadrave, si Laçi dhe Shkumbini. Kurbinasit kanë mundur 3-2 Apoloninë e Fierit, me 3 gola të shënuar nga kapiteni Julian Brahja, ndërkohë që bardhekaltrit peqinas kanë mundur 1-0 Kastriotin, me golin e sulmuesit të tyre, Mustafaraj. Goditje të rëndë ka marrë Flamurtari, brenda në fushën e tij, teksa është mundur 3-0 nga Teuta e Durrësit. Rezultat ky, që tregon se skuadrën vlonjate po e përndjek humbja e thellë 8-1 ndaj Motheruellit në Skoci, në Kupat e Europës. Trajneri Memushi tashmë mund të konsiderohet si "karrige në rërë", pasi zhgënjimi në kampin vlonjat është i madh, aq sa tifozët e këtij qyteti kanë kontestuar fuqishëm stafin teknik dhe lojtarët në përfundim të 90-minutave të lojës. Në juglindje, në qytetin e Korçës, Skënderbeu vendas ka triumfuar në derbin me Gramozin, duke shënuar plot katër gola, tre nga të cilët mbajnë firmën e Cajkut. Goli i nderit për miqtë, në fitoren 4-1 të "ujqërve të dëborës", është shënuar nga Sadiku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›