Memushi jep dorëheqjen nga drejtimi i Flamurtarit
Flamurtari humbet sërish. Këtë radhë e mund Teuta në shtëpi me rezultatin e thellë 3-0, çka i kushton "kokën" e trajnerit Eqerem Memushi, i cili në përfundim të takimit ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i ekipit. Kjo ishte humbja e tretë radhazi për vlonjatët. Ndërsa Memushi bëhet kështu trajneri i dytë i një skuadre të Superligës që vetëlargohet, pas ish-trajnerit të Shkumbinit, Gugash Magani. "Kemi marrë një rezultat aspak të këndshëm, kur të gjithë kërkonim ndryshimin që nuk erdhi edhe sot, u shpreh Memushi. Do të flas me drejtuesit më të lartë të ekipit dhe prej nesër (sot) mendoj të mos jem pjesë e Flamurtarit për pjesën në vazhdim, duke dhënë kështu dorëheqjen nga ky post. Shpresoj që drejtuesit e ekipit ta pranojnë kërkesën time për largimin nga stoli i Flamurtarit. I uroj suksese ekipit dhe trajnerit që do të vijë në të ardhmen. Ekzistojnë mundësitë për të ndryshuar dhe ngjitur Flamurtarin aty ku e meriton të jetë". Trajneri i ri pritet të zgjidhet sot.