E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia do kampionin e dimrit, Kola kërkon fitoren e Tiranës

Vllaznia kërkon të sigurojë titullin e kampionit të dimrit, ndërsa bardheblutë besojnë te një fitore dhe shpresojnë te ndonjë hap i mundshëm fals i shkodranëve. Në Peqin luhet derbi. Është kjo motoja e ndeshjeve të mbetura të Kategorisë Superiore. Pas dy takimeve të luajtura dje, sot do të jetë radha e katër takimeve të tjera, të cilat do të mbyllin edhe javën e 16 futbollistike. Vëmendja do të jetë e përqendruar te Vllaznia. Shkodranët do të udhëtojnë sot drejt Ballshit, ku do të ndeshen me Bylisin. Synimi i tyre është fitorja, e cila nëse do të arrijë, do t‘i kurorëzonte ata me titullin simbolik të kampionit të dimrit një javë para mbylljes së pjesës së parë të kampionatit. Një takim jo i lehtë e pret Tiranën, e cila do të jetë e impenjuar në Vlorë ndaj Flamurtarit. Synimi i vetëm i bardhebluve është fitorja, e cila në rastin më të keq do ta mbante në gjurmët e Vllaznisë, ndërsa në rastin më të mirë (shpresohet një hap fals i shkodranëve), ata do t‘i afroheshin më shumë kreut. Trajneri i bardhebluve, Agustin Kola, u ka bërë të qartë lojtarëve rëndësinë që ka ky takim për vazhdimësinë e skuadrës në këtë sezon, si dhe faktin që edhe vetë drejtuesit e klubit dëshirojnë trepikëshin. Tekniku është shfaqur para grupit të lojtarëve dhe ka shprehur bindjen e tij se ekzistojnë të gjitha mundësitë që Tirana të dalë me tri pikë nga kjo përballje e radhës në Vlorë. Bardhebluve pritet t‘u mungojë në këtë takim shërbimi i Dabullës, Kçirës dhe kapitenit Mukaj. Ndërkohë një ndeshje jo më pak interesante do të luhet sot në Peqin, ku vendasit do të presin "kushërinjtë" nga Elbasani. Si zakonisht në përballja të tilla derbi, këto dy ekipe kanë dhuruar shumë emocione dhe grinte, por shpeshherë edhe tension. Prandaj është një ndeshje për të mos u neglizhuar. Ndërsa Dinamo do të luajë në shtëpinë e saj kundër Lushnjës, në një ndeshje të konsideruar të lehtë në letër, por që verdiktin do ta japë fusha e lojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›