Vllaznia fiton 1-0 me Bylis, vendos Sinani

Trajneri i Bylisit, Hysen Dedja e nisi me një humbje aventurën e tij, por gjithsesi me një rezultat të ngushtë 1-0 në "Loro Borici" e nga një goleador race si Vioresin Sinani, në ndeshjen hapëse të javës së 5-të të Superligës.
Trajneri Agim Canaj pari të gjithë formacionin më të mirë të tij kundër Bylisit, në fitoren e tretë sezonale të Vllaznisë e barazimin e përkohshëm me Tiranën, në kuotën e 10 pikëve, por bardheblutë kanë një ndeshje më pak.
Vioresin Sinani me një ekzekutim mjeshtëror nga një goditje e lirë realizoi golin e parë kundër Bylisit në minutën e 18-të, duke lënë të befasuar portierin nigerian Emanuel Egbo.
Goli i tretë sezonal për sulmuesin e Vllaznisë, duke u barazuar kështu me shokun e tij të ekipit, Paulin Dhembi.
Për golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar ky ishte goli i tij 187-të gjatë karrierës së tij, 157 prej tyre për Vllazninë në 276 ndeshje me formacionin shkodran.
Vllaznia pati rastin më të mirë për të dyfishuar rezultatin, por sulmuesi i rikthyer Albert Kaci goditi shtyllën në minutën e 21-të.
Bylisi realizoi një gol në minutën e 23-të, topi goditi shtyllën përfundoi në rrjetë, por anësori anuloi golin e ballshiotëve. Po një gol (Sinani) u anulua edhe për Vllazninë, në pjesën e dytë.
Ganezi James Boadu goditi në mënyrë cinike, por sfera kaloi pranë shtyllës pingule në minutën e 28-të. Sinani dhe një asist për Boadu, e ganezi në ecje e sipër goditi fuqishëm, teksa topi përfundoi paksa jashtë kuadratit në minutën e 43-të.
Bylisi e nisi pjesën e dytë cuditërisht me dhjetë lojtarë, pasi portieri Egbo nuk ishte në fushën e lojës për gati një minutë, e pas protestave të tifozerisë shkodrane nigeriani hyri në lojë. Një rast i rrallë në futboll. As gjyqtari Cekaj e as anësori Molla nuk e kishte vënë re mungesën e ish-portierit të Tiranës.
Bylisi pati një rast të mirë në minutën e 75-të me anë të Neves, por topi i goditur nga portugezi kaloi ngjitur me portën e Armir Grimës. Në minutat e fundit Sinani humbi një rast të mirë në të 85', pa mundur të shënojë golin e dytë për Vllazninë në këtë takim.
VLLAZNIA-BYLIS 1-0
Shënues: Sinani 18'
Data: 26.09.2009
Ora: 16:00
Stadiumi: "Loro Borici", Shkodër
Gjyqtar: Sokol Cekaj
Bilanci: 14 ndeshje; 9 fitore Vllaznia, 2 barazime, 3 fitore Bylis. Golat: 28-3
Fitorja e fundit e Vllaznisë: 1-0, 26.09.2008
Barazimi i fundit: 2-2, 27.02.1999
Fitorja e fundit e Bylisit: 1-0, 27.02.2002