E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisnin klandestinët, 2 në pranga

 

KORÇE – Grabisnin me dhunë klandestinët pranë kufirit, bien në pranga dy hajdutët shqiptarë. Ata u arrestuan në thellësi të tokës greke dhe u janë dorëzuar autoriteteve të policisë kufitare të Kapshticës. Ka qenë një kërkesë e policisë shqiptare për riatdhesimin e tyre, mbasi kishin marrë një kallëzim se kishin grabitur me dhunë dy refugjatë ilegalë shqiptarë. Pas deportimit nga policia greke dy refugjatët bënë kallëzim për dhunuesit e grabitësit e tyre tek Policia Kufitare shqiptare. Kaq ka mjaftuar që autoritetet e policisë të vendosin lidhje me homologët e tyre në Greqi dhe t’u kërkojnë që të kapen grabitësit dhe të deportohen në vendin tonë. Isuf Disha, 36 vjeç dhe Katan Kaçaniku, 20 vjeç, të dy nga Durrësi janë identifikuar si autorët e grabitjes në një fshat të Follorinës. Sipas dëshmisë së dhënë nga të lënduarit, grabitësit u kishin kërkuar paratë që kishin me vete. Dy prej tyre, nga Zvezda e Korçës treguan se kishin vetëm 500 euro në xhepa dhe nuk donin t’ua jepnin, por nuk shpëtuan dot nga dhuna. Ata u sulmuan me grushte, shqelma dhe me mjete të forta. Dy refugjatët e Zvezdës u rrëzuan përtokë pandjenja. Atëherë vjedhësit e dhunshëm u grabitën paratë dhe disa sende të tjera me vlerë dhe u fshehën për të qenë të gatshëm për të vazhduar pritat e tyre. Pas pak dy refugjatët nga Korça u gjetën nga policia greke dhe u deportuan, duke bërë menjëherë kallëzim në doganën e Kapshticës për grabitësit. Ndaj dy autorëve rëndon akuza e vjedhjes me dhunë.                               j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›