Ish-minatori: Më ndihmoni të shpëtoj tim bir të sëmurë
BURREL – Një ish-minator nga Burreli bën apel për të shpëtuar jetën e të birit. Rrëfimin për djalin e tij të sëmurë rëndë Tanush Elezi nga fshati Patin i rrethit Matit e shoqëron me lot. Dy herë Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë mundësi atij të udhëtojë me djalin jashtë vendit, por nuk kanë para për t’i ardhur në ndihmë Klodianit, 18 vjeç. Ai vuan nga një sëmundje që i ka prekur zemrën dhe pasojat i janë përhapur në të gjithë trupin. Teksa tregon vuajtjet disavjeçare të djalit, Tanushi shprehet se një tjetër vendim i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i ka mbetur në xhep. “Më duhen të paktën 5 milionë lekë të vjetra, që unë dhe gruaja të shoqërojmë djalin në një klinikë më të specializuar jashtë vendit. Kurrë nuk jam ndjerë më i dobët sesa tani kur kërkoj publikisht para borxh për të dërguar djalin në një klinikë të huaj. Biznesmenë, shoqata, njerëz që kanë mundësi financiare le të m’i japin këto para borxh, të dërgoj djalin për kurim se pa vdekur do t’ua shlyej ato”. Djali dergjet në spitalin “Nënë Tereza”, ndërkohë i ati ka lënë kryeqytetin dhe ka shkuar në Mat, për të gjetur paratë, që i duhen për të udhëtuar me djalin në një spital të Turqisë. Ish-minator për 23 vjet, që në muajin prill Elezi nuk përfiton pensionin e nëntokës. “Ma kanë shkëputur padrejtësisht pensionin. Dhjetëra herë kam kërkuar të gjendet e vërteta dhe të më rikthehet pensioni. Ndërkohë, specialistët e KEMP-it Burrel më kanë pakësuar pensionin e djalit. Nëse, qoftë larg, gjen gjë djalin unë do të hakmerren. Këtë ua kam shprehur dhe zyrtarëve të sigurimeve shoqërore Mat. Me paratë që do të merrja nga pensioni im dhe i djalit do të kisha mundësi të udhëtoja jashtë vendit”, thotë Elezi. h.p