E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden për pronën, vret kushëririn e i plagos djalin

 

VLORE – Konflikti për pronën shënon një viktimë në fshatin Armen të Vlorës. Një person humbi jetën, ndërsa i biri u plagos pasi u qëlluan nga kushëriri i tyre me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme. Autori Luan Haxhiaj ka parë bagëtitë e të afërmit të tij, Reiz Haxhiaj 73 vjeç që po kullosnin në tokën që kishte në pronësi. Ai ka nxituar që të largojë delet nga prona, por ky veprim është parë nga kushëriri i moshuar. Mes tyre ka nisur një grindje, duke vazhduar me fyerje të rënda e kërcënime fizike. Në ndihmë të Reizit ka shkuar dhe i biri i tij, Çajup Haxhiaj, 33 vjeç. Disa minuta më vonë, Luan Haxhiaj u kthye në shtëpi, duke marrë një çifte që mbante në banesë. Me të ka dalë jashtë duke qëlluar ndaj at e bir. I moshuari ndërroi jetë në vend, ndërsa i biri u plagos prej saçmave. Sapo kanë dëgjuar krismën e çiftes në vendngjarje kanë shkuar anëtarë të familjeve të përfshirë në konflikt, ku dhe kanë parë se çfarë kishte ndodhur. Të afërm të familjes të personave, që u dëmtuan kanë marrë Çajupin dhe e kanë transportuar atë në spitalin rajonal të Vlorës, duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për dosa orë. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe sapo mori informacion për autorin e krimit e arrestoi Luan Haxhiajn në banesën e tij dhe bllokoi armën e krimit. Vetë autori ka pranuar autorësinë, duke pohuar se sherri kishte nisur pas futjes së bagëtive të kushëririt në tokën e tij. “Në gjaknxehtësi e sipër qëllova ndaj tyre, jo për t’i vrarë, por për t’i trembur, por mesa duket saçmat janë shpërndarë në një sipërfaqe të madhe dhe kanë zënë të dy personat”. Sipas burimeve nga policia kushërinjtë kanë pasur dhe më parë debate mes tyre, kryesisht për motive pronësie. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›