E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi gabonsërish, disfatëpërballë Leçes

ITALI- Ashtu si një vit më parë, fitorja me Interin duket se është një ters për Juventusin. Bardhezinjtë janë mundur 2-0 sot në “Via del Mare”, përballë Leçes, duke treguar se momenti i keq ende nuk ka kaluar.

Një gafë e Bufon në minutën e 12-të ka ndëshkuar skuadrën e Xhixhi Del Nerit, e cila ka mbetur me 10 vetë dhe më pas i është dashur të vuajë supremacinë e vendasve. Sfida e sotme tregoi Juven e zakonshme të dy sezoneve të fundit, që pas një ndeshjeje të mirë, dhuron një tjetër në kufijtë e negatives. Leçe ka qenë më e rrezikshme që në startin e takimit, por dalja me të kuqe e Bufon, që ndaloi me dorë një gjuajtje jashtë zonës, ia bëri më të lehtë punën skuadrës së De Kanios.
Mesbah gjeti golin e avantazhit në minutën e 32-të, duke mposhtur lehtësisht Storarin pas një asisti të marrë nga e majta. Në pjesën e dytë, skuadrës puljeze i janë dashur 3 minuta për të dyfishuar, këtë herë me Bertolaçin, që vetëm 2 metra me portën, e shtyu topin në rrjetë. Vendasit patën edhe një mundësi tjetër të mirë, por rrofeshata e Shevanton përfundoi ngjitur me portën. Edhe Leçe e mbylli takimin me 10 vetë, pas kartonit të kuq të Vives, por edhe pse ishte minuta e 69-të, Juventusi nuk e rrezikoi thuajse asnjëherë portën e skuadrës puljeze.

“Gabuam, në fushë u treguam mendjemëdhenj, - deklaroi pas ndeshjes trajneri Xhixhi Del Neri. – Bëmë një futboll të pistë, pa ide të mëdha dhe e merituam të humbisnim. Nuk u treguam të mëdhenj, sepse mesa duket nuk kemi mentalitetin e duhur për të luajtur këto ndeshje që konsiderohen të lehta”, shtoi ai. Tekniku i Juves ka kërkuar më shumë kujdes në të ardhmen. “Duhet të reflektojmë, sepse kjo ndeshje na ka kthyer shumë mbrapa në kohë. Duhet të bëjmë gjithçka për të mos gabuar më”, komentoi Del Neri.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›