E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia, largohet Lika vjen Luçi

Hasan Lika nuk është më trajner i Vllaznisë. Prej ditës së djeshme, ish-trajneri i përfaqësueses Shpresa dhe klubi shkodran i kanë dhënë fund bashkëpunimit. Shkak janë bërë rezultatet e dobëta të skuadrës në pesë javët e para të kampionatit: kuqeblutë kanë humbur tri ndeshje dhe kanë shfaqur probleme të theksuara në repartin ofensiv, me vetëm një gol të realizuar. Edhe pse pritej që e ardhmja e stolit të shqyrtohej në bazë të rezultatit të sfidës së ardhshme me Flamurtarin, krerët në "Loro Boriçi" vendosën të ndryshojnë kurs, me shpresën se skuadra do të kthehet në garën për titull. Stoli do t‘i besohet Roland Luçit, i cili është një personazh mjaft i njohur në ambientet e klubit. Ish-futbollist i kuqebluve në vitet ‘80 dhe kampion i vendit në edicionin 1982/83, prej kohësh jeton në Austri, ku është pajisur edhe me licencën e trajnerit. Vllaznia pritet të jetë skuadra e parë që ai do të drejtojë, pasi Luçi nuk ka punuar më parë me asnjë skuadër, qoftë edhe në nivel të rinjsh.

Presidenti Valter Fushaj ka arritur akordin parimor me trajnerin e ri, i cili pritet të mbërrijë sot në Shkodër, për të diskutuar detajet e marrëveshjes dhe për t‘u prezantuar me skuadrën. Duket se këto bisedime kanë qenë arsyeja përse vendimi për largimin e Likës nuk u mor menjëherë pas humbjes 1:0 në fushën e Teutës. Burime pranë klubit theksojnë se Fushaj priste që prej mesjavës që trajneri tiranas të largohej me dëshirë nga "timoni" i Vllaznisë. Madje, këtë numri 1 në "Loro Boriçi" e kishte treguar edhe duke i "tërhequr veshin" teknikut dhe stafit teknik, ndërsa kritikave për rezultatet e dobëta nuk i shpëtuan as "senatorët" e skuadrës. Gjithsesi, një gjë e tillë nuk ndodhi: përkundrazi Lika këmbëngulte se nuk ishte shkaktari për ecurinë e keqe të ekipit. Madje, ai nuk harroi të përmendte se përveç stafit teknik dhe lojtarëve, përgjegjësi për situatën e krijuar kanë edhe drejtuesit, për merkaton e zhvilluar gjatë verës. Ky "rebelim" i ish-trajnerit të Partizanit, i cili ishte afruar te Vllaznia përpara fazës përgatitore për ndeshjet e Kupës UEFA, nuk është toleruar. Ndërkohë, klubi ka bërë të ditur në rrugë zyrtare se prishja e marrëveshjes erdhi me mirëkuptimin e dy palëve. Ardhja e Roland Luçit ka bërë që edhe stafi teknik në radhët e shkodranëve, të mos e ketë të ardhmen të sigurt. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lojtarët, të cilët kanë lënë shumë për të dëshiruar me paraqitjet e tyre. Përveç masave ndëshkimore me gjoba, tashmë nuk përjashtohen as ndërprerjet e menjëhershme të kontratës.

Hasan Lika bëhet trajneri i katërt që largohet në pesë javët e para të Kategorisë Superiore (pa llogaritur largimin e Edi Martinit nga Laçi, kur sezoni ende nuk kishte startuar). I pari që hapi "valsin e trajnerëve" ishte Gugash Magani, i cili u pasua nga Kristaq Mile te Shkumbini. Në harkun e pak ditëve, Magani u emërua si trajner i Flamurtarit, pas shkarkimit të Memushit nga klubi vlonjat. I fundit që u largua nga detyra ishte Ilir Qirjako, që të hënën, në mënyrë të papritur, u zëvendësua nga Agim Canaj te debutuesit e këtij sezoni në elitë, Gramozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›