Haxhi, titullar kundër Çelsit të Ançelotit
Altin Haxhi pritet të aktivizohet si titullar edhe në ndeshjen e dytë të Grupit D në Ligën e Kampioneve, ku Apoel Nikosia pret në fushën e saj Çelsin. Mesfushori shqiptar qëndroi pushim në takimin e fundjavës së kaluar, ku Apoeli fitoi 3:0 me Doksa Katokopian. Duke vlerësuar edhe moshën 34-vjeçare të shqiptarit, trajneri Ivan Jovanoviç vendosi se rotacioni do të ishte mënyra më e mirë që Haxhi të ishte në formën optimale kundër bluve të drejtuar nga Karlo Ançeloti. Me eksperiencën dhe klasin e tij, ish-lojtari i Kombëtares, për të cilin përflitet rreth një rikthimi të mundshëm në sfidën e fundit eliminatore me Suedinë, shihet si një prej pikave të forta të qipriotëve në aktivitetin më prestigjioz për klube në Europë. Dy javë më parë, Haxhi luajti përgjatë gjithë 90-minutëshit në barazimin që Apoeli arriti në stadiumin "Visente Kalderon", përballë Atletikos së Madridit. Gjirokastriti është futbollisti i vetëm shqiptar që luan në Champions gjatë këtij edicioni.
e. k.
e. k.