E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lion u ndal ne barazim 1-1 jashte fushe ne kampionatin francez te futbollit

Në Francë, një ekip që ka dalë 7 herë radhazi kampion ëndërron sërish ta fitojë titullin, por barazimet nuk ndihmojnë në këtë drejtim. Lioni u mbajt në një barazpeshë 1-1 në fushën e Brestit, ndërsa e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, duke mbetur ende larg kreut. Skuadra vendase kaloi në epërsi me një gol shumë të bukur të shënuar nga Benua Lesuamie pas një gjuajtjeje nga mbi 22 metra largësi nga porta. Lesuamie u shërbye me kokë nga Ru dhe pastaj lëshoi predhën e tij.

Miqtë mbetën me 10 lojtarë kur Kone u nxorr nga fusha me karton të kuq për një ndërhyrje të gabuar ndaj lojtarit vendas, Nolan Ru. Gjithsesi, edhe pse në inferioritet numerik, skuadra lioneze reagoi dhe barazoi rezultatin në minutën e 69-të kur boshnjaku Miralem Pjaniç pasoi tek Gomis dhe ky shënoi në hyrje të zonës. Ashtu siç shkuan ngjarjet, barazimi ishte një rezultat i mirë për Lionin.

Në kampionatin holandez ka qenë Tvente, pra ish-kampionia, që ka bërë ligjin ditën e shtunë. Të kuqtë mposhtën 5-1 Herenvenin jashtë fushe, duke lëshuar një sinjal të fortë se do të jenë sërish pretendentë për titullin kampion. Miqtë shënuan që në pjesën e parë, fillimisht me anë të De Jongut që e kaloi topin mbi kokën e portierit vendas, ndërsa goli i dytë erdhi shumë shpejt. Brajan Ruiz shërbeu shumë mirë për Vilem Jansenin që tundi rrjetën për rezultatin 2-0. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0 për Tventen pasi sulmuesi Mark Janko shfrytëzoi fuqinë e tij për të realizuar në sekondat e fundit të lojës.

Në pjesën e dytë rezultati u thellua edhe më tej, pasi suedezi me origjinë shqiptare, Emir Bajrami lëshoi një gjuajtje të shkëlqyer nga distanca dhe topi përfundoi në këndin e sipërm të portës së Herenvenit. Minutat e fundit sollën edhe dy gola. Fillimisht, ishin vendasit që ngushtuan diferencën në 1-4 pasi realizoi Lusiano Narsing, ndërsa në minutën e parafundit Tvente vulosi fitoren 5-1, me anë të një penalltie të realizuar sërish nga Mark Janko. Tvente është në krye të renditjes me 9 pikë pas 3 ndeshjeve të para, pra me 3 fitore dhe me golaverazhin e shkëlqyer 8-1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›