E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia synon pikët e para në transfertë



Vllaznia, klubi i vetëm i rretheve me më shumë trofe në Shqipëri (9 tituj kampionë, 6 Kupa të Shqipërisë), synon të tregojë në transfertën e Laçit, se dy fitoret rresht, ajo kundër Shkumbinit në kampionat (2-0) dhe Tomorit në Kupë (0-4), nuk ka qenë të rastësishme nën drejtimin e Roland Luçit, edhe pse ato lidhen ngushtësisht me emrin e “baby” Bala, autor i pesë nga gjashtë golat e realizuar nga nënkampionët e sezonit të kaluar. Të grumbulluar në Lezhë e me një formacion të plotë në dispozicion, sipas zëdhënësit të klubit shkodran, pasuesi i Hasan Likës, Roland Luçi, duket se ka gjetur formulën e suksesit, pikërisht rimotivimin e skuadrës dhe rigjetjen e dëshirës për të fituar.
Përballë Laçit të vendit të fundit, por me ambicie për pikë të plota ndaj shkodranëve, Vllaznia do të tentojë fort të marrë pikët e para në transfertë, teksa kuqeblutë kanë statistika të errëta në katër përballjet jashtë “Loro Boriçit”: 4 ndeshje, 4 humbje, asnjë gol i shënuar, 6 gola të pësuar.

Gramozi, Canaj: “Djema, dua fitore!”

Trajneri i Gramozit, Agim Canaj, e ka vlerësuar si ndeshjen e kthesës ballafaqimin me Kastriotin (të shtunën, ora 14:30), në takimin e vlefshëm për javën e 8-të të Kategorisë Superiore.
Skuadra kolonjare humbi 3-0 në ndeshjen e fundit me Apoloninë në Fier, dhe pasuesi i Ilir Qirjakos në stolin e Gramozit kërkon impenjim maksimal nga lojtarët e tij. “Vetëm një fitore mund të na largojë nga vendet e fundit, pasi çdo rezultat tjetër do të përkeqësojë së tepërmi qëndrimin tonë në Superligë”, - tha Canaj.
Gramozi në katër ndeshje në shtëpi ka fituar vetëm një ndeshje, atë kundër Flamurtarit (2-0), teksa barazuar një dhe ka humbur dy të tilla. Debutuesi i Superligës renditet në vendin e 10-të, me 6 pikë në 7 ndeshje, ndërkohë që kundërshtari i radhës, Kastrioti (3 ndeshje në transfertë; 1 barazim, 2 humbje) ndodhet në vendin e 6-të me 8 pikë. Një fitore e Gramozit do të sillte për rrjedhojë edhe rokadën midis dy skuadrave.

Dabulla: “Tirana nuk luan nga objektivat”

Njëmbëdhjetë pikë larg Dinamos kryesuese në vetëm 7 javë kampionat janë shumë, por mbrojtësi me përvojë i Tiranës, Rrezart Dabulla, pohon se mund të jenë të rikuperueshme, nëse 24-herë kampionët e Shqipërisë do të rikthehen të kompletuar në organikë e do të rigjejnë grintën tradicionale të tyre. “E kemi nis shumë keq, por të mos harrojmë se kemi pasur shumë mungesa të rëndësishme. Rikuperimi i pikëve mund të jetë i vështirë, por Tirana nuk ka asnjë arsye të tërhiqet nga të dy objektivat sezonalë. Ne jemi kampionët në fuqi, pavarësisht disa hapave falsë”, - tha Rrezart Dabulla, që nga ana e tij numëron jo pak, por 16 trofe në total, 6 kampionate, 5 Kupa të Shqipërisë dhe 5 Superkupa. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë e Shkumbinit ende nuk është rikuperuar pas operacionit në gju. “Do të më duhen të paktën edhe dy muaj për të luajtur. Besoj, se në fillim të vitit do të jem gati”, -shtoi “Dabi”, një nga figurat potente të klubit me më shumë tituj në Shqipëri, e që më 24 tetor, mbush plot 30 vjeç.

24 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›