E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat e qeverisë përmirësuan shërbimin në ZRPP

Prezantohet në Tiranë studimi "Mbi aksesin e Qytetarëve te shërbimet e ofruara nga ZRPP”

Reformat e ndërmarra nga maxhoranca qeverisëse kanë përmirësuar shërbimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP). "Përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve nuk është konceptuar si një fushatë me pritshmëri dhe arritje sporadike, por si reformë integrale e të gjithë sistemit të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme", tha zëvendësdrejtori i ZRPP-së, Kosta Barka, gjatë prezantimit të studimit "Mbi aksesin e Qytetarëve te shërbimet e ofruara nga ZRPP", zhvilluar sot në hotel Tirana. Duke u ndalur tek arritjet e këtij institucioni, ai përmendi miratimin e një seri aktesh ligjore e nënligjore,  urdhërave, që bllokuan mundësinë për regjistrimin e pasurive në kundërshtim me ligjin, rritën sigurinë e informacionit, që ofron ZRPP si dhe shpejtësinë e përpunimit të tyre (informacionit), përmes modernizimit të sistemit. "Kemi ndërmarrë reforma të nevojshme për t'a bërë këtë institucion më fleksibël, më të menaxhueshëm dhe më të hapur ndaj publikut", theksoi z. Barka. Lidhur me reformat e ndërmarra në funksion të rritjes së transparencës ndaj publikut, zv/drejtori i ZRPP-së vuri në dukje se instalimi i aplikimit elektronik nga qytetarët ndikoi në shmangien e radhëve të qytetarëve në sportele si dhe shmangien e korruptimit të punonjësve shtetërorë. "Reforma ligjore dhe ajo për modernizimin e sistemit kanë pasur si pasojë, përmirësimin shërbimit ndaj klientit, qofshin qytetarë, biznese,institucione si dhe rritjen e besueshmërisë së institucionit në perceptimin e publikut", përfundoi ai. Studimi "Mbi aksesin e qytetarëve të shërbimeve të ofruara nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme", është përgatitur nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, (FDE) përmes një projekti të financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, në kuadër të promovimit të qeverisjes së mirë dhe rritjen e transparencës politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›