Vlora, 30 vjet orkestër simfonike
Janë mbushur plot 30 vjet nga dita që në qytetin e Vlorës do të krijohej orkestra simfonike. Krijues të kësaj orkestre, si dhe artdashës vlonjatë, janë mbledhur për të festuar këtë përvjetor. Për më shumë se dy orë, nën drejtimin e dirigjentëve Eduart Cuni, Thanas Caci, Oleg Arapi, si dhe Vasil Cuni, janë pasqyruar vepra të artistëve të mëdhenj botërorë. Orkestra e Vlorës i ka fillimet në vitet e para të shekullit të kaluar, por u njoh si e tillë në vitet e para pas çlirimit, me të mirënjohurin Themistokli Mone. Më pas, në shtator të vitit 1972, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, me një vendim të posaçëm miratoi fillimin nga puna të katër orkestrave gjysmësimfonike, ndër të cilat bënte pjesë dhe orkestra simfonike e qytetit të Vlorës. Bumin e vërtetë kjo orkestër e pati në prill të vitit 1978, ku dirigjenti Haxhi Dalipi mbrojti diplomën me formacionin simfonik që edhe Vlora të kishte synimet për muzikën e kultivuar. Fillimisht ishin 25 instrumentistë dhe asnjë prej tyre me arsim të lartë. Këmbëngulja e Thanas Cacit, së bashku me udhëheqësin artistik, Haxhi Dalipi, bëri që kjo orkestër të rritej nga viti në vit dhe të bënte hapa përpara. Orkestra nuk mungonte në ngjarjet e rëndësishme të qytetit. Shfaqjet e përvitshme të festës së pavarësisë dhe deri te përkujtimet e ndryshme, ishin terreni në të cilin zhvillohej veprimtaria artistike. Në repertorin e luajtur nga orkestra simfonike e Vlorës janë shënuar pjesë të kompozitorëve më të njohur shqiptarë, nga Zadeja deri tek Avni Mula. Nga viti 1988 e deri në vitin 1992, drejtimin e orkestrës e kishte Oleg Arapi, diplomuar në të njëjtin vit po me këtë orkestër. Duke filluar nga viti 1993 e deri më sot, drejtimi i kësaj orkestre i është besuar Eduart Banushit, i cili edhe ka festuar përvjetorin e saj.