Synon mbijetesën

Pasi u emërua trajner i ri i Drenicës, Bylbyl Sokoli ka filluar të mendojë për ndërtimin e ekipit, me të cilin do t’u bëjë ballë skuadrave tjera në pjesën pranverore të sezonit.
Trajneri i mirënjohur kosovar do të mundohet që dijeninë që e posedon ta përcjellë tek ekipi i tij i ri. Ish trajneri i Besianës, i Hysit, i Dritës, i 2 Korrikut dhe i Kosovës së Prishtinës nënshkroi kontratë për gjashtë muaj me klubin kuq e zi, me mundësi vazhdimi të bashkëpunimit. Objektiv i tij për këtë sezon është mbijetesa.
“Drenicën nuk e njoh shumë, por e di se ka potencial. Ambiciet tona janë që ta sigurojmë mbijetesën. Do t’i sjellim 2-3 përforcime”, deklaroi Sokoli për Express.
Gjatë janarit, ekipin drenicas pritet ta përforcojnë lojtarë si Faruk Statovci, Samir Sahiti dhe Krenar Kosumi, me të cilët është në bisedime kryesia e klubit kuqezi. Natyrisht, trajneri Sokoli po mendon edhe për një portier, të cilin do ta zgjedhë më vonë. Ai nuk po mendon vetëm për aspektin sportiv. Trajneri kosovar e ka në mendje edhe rregullimin e infrastrukturës dhe punën me të rinj.
“Do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë infrastrukturën, fushat, objektet, ta ndërtojmë një fushë ndihmëse, ta formojmë një shtab teknik, i cili do të jetë profesional. Njëkohësisht do të punojmë edhe me grupmoshat e reja, duke e organizuar kështu një strukturë organizative brenda klubit”, vijoi Sokoli i cili po mendon për një projekt afatgjatë.
Drenica e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e nëntë me 19 pikë të grumbulluara, vetëm dy më shumë se zona e ekipeve të rrezikuara. Mirëpo, me Sokolin në krye dhe me disa përforcime, kuqezinjtë synojnë të këndellen në pranverë.