E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vlora jo vetëm plazh/ Muzeu i Pavarësisë pret 150 vizitorë në javë

Një numër i lartë vizitorësh, të cilët kanë zgjedhur të pushojnë këtë sezon veror në Vlorë, nuk kanë lënë jashtë planeve të tyre edhe një vizitë në Muzeun e Pavarësisë. Drejtori i Muzeut, Istref Dobi, tregon për RTSH se çfarë i bën më tepër kuriozë ata që vizitojnë muzeun. 

“Pjesa e madhe e tyre nuk e di që kjo është godina e qeverisë së Ismail Qemalit. Vijnë me idenë ‘të shohim shtëpinë ku është shpallur Pavarësia më 28 nëntor 1912’.

U shpjegojmë që kjo është godina e qeverisë, jo godina ku është shpallur Pavarësia. Fotografia që është bërë te kjo godinë, te ky ballkon, është e 28 nëntorit 1913. Kjo është pjesa që i çudit më tepër,” thotë drejtori Dobi.

Rreth 150 vizitorë në javë është numri i turistëve që vendosin të kthehen në muze për t’u njohur me të shkuarën historike të formimit të shtetit shqiptar.

Tashmë dyert e Muzeut te Pavarësisë për këtë sezon turistik po qëndrojnë hapur për të mirëpritur vizitoret me orare të zgjatura deri në orën 22:00 të mbrëmjes. 

“E vërteta është që ia vlen ky orar, se përgjithësisht ata që vijnë në qytetin e Vlorës, vijnë për turizmin e diellit, të detit dhe të rërës. Pjesën e pasdites që janë të lirë, ne e shfrytëzojmë për t’u shërbyer sa më mirë. Numri i turistëve sa vjen e rritet, nga viti në vit.“

Dobi tha se muaji korrik dhe gushti janë periudhat që shënojnë edhe numrin më të lartë të vizitorëve.

Gazetar: M. Mëhilli

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›