E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora jodiplomatike

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku e ka lëshuar një deklaratë aspak diplomatike, disa çaste pasi që Aleanca Kosova e Re njoftoi se Mbretëria e Swazilandit e ka njohur Shtetin e Kosovës.

Ajo tha se letra e AKR’së nuk ishte njohje dhe se nota të tilla MPJ’ja merr çdo ditë.

“Ministria e Punëve të Jashtme nota të tilla të ngjashme merr pothuajse çdo ditë”, ka thënë Çitaku, të martën.

Por, të mërkurën, ajo e ka ndryshuar deklaratën e saj kur është pyetur nga Expressi për këtë çështje.

“Jo bash letër identike (sikur e Swazilanidit). Por po, kemi marrë nota të cilat ndikojnë në shtimin e njohjeve për Kosovës”, ka thënë Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme.

“Dje ka qenë hera e parë që kemi bërë publik një komunikim me përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, pa u përmbyllur në tërësi procesi i njohjes”, ka shtuar Çitaku.

Deklaratat e Vlora Çitakut i kanë irrituar zyrtarët e AKR’së, të cilët pretendojnë se njohja nga Swazilandi është meritë e Kryetarit të tyre, Behgjet Pacolli.

“Deklarata e saj ishte vërtet naive, joserioze dhe nënçmuese për shtetin që e ka njohur Kosovën. Komplet ishte një deklaratë jodiplomatike”, ka thënë Ibrahim Gashi, të mërkurën, për Express.

Ai ka shtuar se nëse deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë dalin të sakta se për çdo ditë marrin nga një njohje, atëherë ky proces do të ishte i harruar.
“Kjo i bie që Kosova tashmë i kishte të gjitha njohjet, bile edhe disa shtete që nuk ekzistojnë na kishin njohur sipas zonjushës Çitaku”.

Ibrahim Gashi nuk është ndalur me kaq.

Ai i ka dhënë një leksion MPJ’së.

“Ajo ka treguar me paraqitjen e saj dje nivelin më pak se të një zëdhënëseje dhe ka dëshmuar se njohuritë e saj profesionale janë nën nivelin e një studenti mesatar në fushën e diplomacisë”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›