Vlora: nga udhëkryqi i zhvillimit, drejt zhvillimit të qëndrueshëm
Nga Romeo Hanxhari
Flitej shpesh për TEC-in e Vlorës. Tani flitet më rrallë. Dhe ky është tregues se tashmë është kuptuar nga të gjithë aktorët lokalë dhe kombëtarë se ajo që na shtyu qytetarë e ambientalistë që të organizonim rezistencë të fortë në vitin 2004 e 2005, nuk ishte një TEC i vogël 97 megavat si ky që tashmë po mbaron, dhe i cili si teorikisht edhe praktikisht konsiderohet plotësisht i menaxhueshëm, por ishte ai projekt gjigandoman prej 2.400 megavat, e prej rafinerish nafte, e prej naftësjellësish gjigandë etj. Është nder për këdo që të themi që ky reduktim rrënjësor dhe i menjëhershëm si në kapacitet dhe në tipologji ishte një fitore e shkëlqyer e ambientalistëve dhe qytetarëve të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Veçse, absolutisht duhet të vëmë në dukje edhe se, nxitur nga lëvizja ambientaliste, ishte pikërisht vullneti i shprehur politik për të korrigjuar trajektoren dhe shënjestrën e zhvillimit të Vlorës, ai që bëri që fatmirësisht të anulohej Parku Industrial Energjitik i Vlorës, duke i reduktuar projektet thjesht tek porti i importit të naftës dhe tek ky TEC i vogël. Nëse e shohim këtë zhvillim tashmë realitet si një kompromis, fitore të ambientalizmit dhe politikës së emancipuar të Shqipërisë, mund të shtojmë si konkluzion se “zhvillimi” tashmë ka triumfuar mbi “rritjen” në Vlorë.
Në vijim të angazhimit politik të së djathtës për të reduktuar thellësisht dhe përfundimisht kapacitetin dhe tipologjinë e impianteve, nga politikëbërësit u mirëprit propozimi që të anulohej edhe institucionalisht në KRRTRSH vendimi i vjetër i vitit 2003 për “Parkun Industrial Energjitik”, anulim që u realizua që në vitin 2007. Dhe në vijim, ajo çka i vuri përfundimisht vulën e “zhvillimit”, ishte angazhimi dhe konkretizimi për një park industrial lokal miqësor me mjedisin, të destinuar për biznesin lokal të Vlorës. Zona industriale e Vlorës “Ideja Vlora” ishte një triumf i nismës lokale në përputhje me nevojat endogjene të zonës përkatëse, ashtu siç edhe kishte nisur që në embrion, pavarësisht nga shtrembërimi dhe keqpërdorimi që iu bë nga politika në vitin 2003. Por instituimi i zonës industriale lokale ishte edhe një triumf i guximit të politikëbërjes për të përkrahur me të dyja duart këtë nismë lokale.
Projektimi teknik dhe mjedisor i kësaj zone industriale të kërkuar dhe të zbatuar nga bizneset lokale është në përputhje me atë që quhet “projektimi i eko-zonave industriale” që kanë lindur me praktikat industriale të Kalundborgut në Danimarkë, duke e renditur Vlorën në pararojë të zhvillimit dhe të respektit për mjedisin dhe resurset e zonës. Sipërfaqja e kësaj eko-zone të re industriale të Vlorës në raport me atë të parkut monstruoz të vjetër energjitik reduktohet nga 550 në 105 hektarë, largohet nga bregdeti dhe pylli i Sodës, vendoset në toka joproduktive në periferinë verilindore të qytetit dhe e kufizon tipologjinë e bizneseve që mund të zhvillohen aty, vetëm tek ato miqësore me mjedisin dhe pra duke përjashtuar ato me bazë nafte. Ky park lokal industrial është një fjalë e mbajtur përpara Vlorës dhe është faza e fundit e ndryshimit të trajektores së zhvillimit drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. Aktualisht, pra, Vlora ka vetëm një port modest të magazinimit të karburantit, por jo rafineri apo naftësjellës super të mëdhenj, ka një TEC modern që konsiderohet i vogël në vend të super TEC-eve që ishin planifikuar, ka edhe një eko-park Industrial miqësor me mjedisin në vend të një parku industrial energjitik gjigandoman.
Tashmë edhe TEC-i i vogël i Vlorës është një komponent miqësor me mjedisin. U bëra kureshtar përpara disa ditësh nga një shkrim i stafit të TEC-it lidhur me nivelin e emetimeve të TEC-it, të cilat sipas atij shkrimi, kanë arritur që të jenë shumë nën nivelin e lejuar nga Direktiva LCP (Large Combustion Plant) që do të zbatohet në vendet e BE-së brenda vitit 2017. Është një element shumë pozitiv ky standard i arritur, pra fakti që emetimet e pakta janë jo vetëm nën nivelin aktual, por edhe nën nivelin e ardhshëm të normave të BE-së. Unë e konsultova Direktivën LCP në websit-in zyrtar dhe pashë që shifrat e dhëna përputheshin me të vërtetën.
Dhe tashmë madje ka një element edhe më të ri: KESH-i bashkë me TEC-in e Vlorës janë bërë mbështetës të një marrëveshjeje vullnetare të ideuar dhe praktikuar për herë të parë në Shqipëri. Një marrëveshje e tillë publike me komunitetin është një instrument mjaft efikas për të fshirë mosbesimin apo paragjykimin midis aktorësh. Për një marrëveshje të tillë kam shkruar e kam lobuar që prej 3 vjetësh, duke shpjeguar edhe se nëse ajo arrihej, atëherë niveli i besimit reciprok mes KESH-it dhe enteve komunitare do të rritej maksimalisht, për faktin se nëse deri tani ishte KESH-i ai që monitoronte vetë, tashmë monitorimi monitorohet dhe madje edhe plotësohet nga të gjithë aktorët lokalë të interesuar. Jam i kënaqur profesionalisht që një marrëveshje e tillë arrihet. Kjo marrëveshje bëhet e mundur vetëm në kushtet e ekzistencës së vullnetit absolutisht të sinqertë midis palëve, si dhe vetëm në kushtet kur palët nuk kanë asgjë absolutisht për t’i fshehur njëri-tjetrit, dhe me ç’duket, është pikërisht kështu. Marrëveshja e nënshkruar në Vlorë përpara një jave realizon institucionalizimin e monitorimit publik të mjedisit dhe përfshirjen e publikut në këtë proces të rëndësishëm e jetik. Kjo marrëveshje përfshin Universitetin e Vlorës, Këshillin e Qarkut, një numër të gjerë organizatash ambientaliste etj. dhe ç’është më e rëndësishme, kjo marrëveshje mbetet plotësisht e hapur për pjesëmarrje dhe anëtarësim nga të gjithë organizmat e interesuar. Enti që është krijuar nga këta aktorë komunitarë, ka të drejtë të monitorojë mënyrën se si mblidhen dhe publikohen të dhënat, të monitorojë cilësinë e naftës apo dhe të kërkojë t’i përsërisë edhe vetë analizat përkatëse, nëse e gjykon të arsyeshme, ka të drejtë të sugjerojë dhe pse jo edhe të investojë në përmirësimin dhe zgjerimin e monitorimit të ajrit e të ujit. Kjo mund të konsiderohet një fitore e radhës e emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe e cila realizohet edhe në sajë të vullnetit absolutisht pozitiv të ekipit të KESH-it dhe të TEC-it Vlorë. Është një element thellësisht qytetërues në bashkëjetesën pa paragjykime në këtë mjedis e në këtë shoqëri, një revolucion pozitivist në mentalitetin fatkeqësisht konfrontues të shoqërisë sonë.
Marrëveshja model për monitorimin e mjedisit në TEC-in e Vlorës, si dhe projekti në realizim e sipër i eko-zonës industriale “Ideja Vlora”, dëshmojnë se me sa duket, tashmë edhe për Vlorën po realizohet një partneritet i shëndetshëm e i qëndrueshëm publik-privat, i cili po çon në një stad të ri të emancipimit shoqëror, ku shoqëria civile, biznesi dhe politikëbërja po përmbushin bashkërisht objektivat ambiciozë që kanë marrë përballë një shoqërie gjithmonë e më të pjekur, më kërkuese e më realiste.
Tashmë, kur të flitet për Vlorën, do të flitet për eko-zonën lokale industriale “Ideja Vlora”, si një model i zhvillimit modern miqësor me mjedisin dhe do të flitet edhe për punën e përbashkët që aktorët lokalë bëjnë me qëllim që TEC-i i vogël i Vlorës të mos jetë më një pikë gabimisht e paragjykuar e realitetit lokal, por një element i rëndësishëm i jetës ekonomike dhe sociale të komunitetit.