E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi dhe Fortuzi, futboll me të paraburgosurit



Kandidatët e PD-së për Tiranën, Indrit Fortuzi dhe Aldo Bumçi, organizuan dje një ndeshje futbolli me të paraburgosurit e burgut 313, në bashkëpunim me futbollistë të Tiranës dhe nën përkujdesjen e presidentit të sport-klub “Tiranës”, Refik Halili. Kandidatët e PD-së premtuan për të dënuarit përmirësim të mëtejshëm të kushteve të jetesës në mjediset e vuajtjes së dënimit. Kreu i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, deklaroi se mandatin e ardhshëm qeveria nuk do të kursejë investimet për standardizimin e kushteve të jetesës në burgje. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, të gjithë shtetasit e dënuar mbi 18 vjeç janë pajisur me karta identiteti në mënyrë që t’u garantohet e drejta e votimit. “Janë afro 355 të dënuar me të drejtë vote të pajisur me kartat e reja të identitetit, të cilët mund të ushtrojnë të drejtën e votës më 28 qershor. Gjithashtu, kemi marrë masa që votimi të jetë normal dhe ambientet të kenë të gjitha kushtet e domosdoshme”, - tha drejtori i burgut 313, Shkëlqim Kalemi. Për sa u takon aktiviteteve të mundësuara nga kandidatët e PD-së dhe lojtarët e klubit të futbollit “Tirana”, Drejtoria e Burgjeve deklaroi se të tilla aktivitete do të vazhdojnë të organizohen me qëllim shmangien e situatave stresive për të burgosurit dhe në mënyrë që ata të mos ndihen të mënjanuar nga shoqëria e gjerë. Ndeshja e zhvilluar dje përfundoi me rezultatin 6 me 5 për të paraburgosurit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›